Baerbock: Mbrojtja ajrore e Ukrainës prioritet absolut
Dërgimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë për ta ndihmuar në mbrojtjen e saj nga raketat ruse dhe dronët është “prioritet absolut”, ka thënë ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock gjatë vizitës në Kiev të martën.
Baerbock ka thënë se si shkak i “iniciativës globale” të nisur nga Gjermania për t’i ofruar Ukrainës më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore janë arritur të mblidhen afro 1 miliard euro, por pranoi se nevojiteshin më shumë.
Gjermania pas SHBA-së është vendi që i ofron më së tepërmi ndihmë ushtarake Ukrainës, raporton agjencia “AP”.
Zyrtarët ukrainas i janë lutur për muaj të tërë aleatëve perëndimorë që ta furnizojnë me sisteme të tjera të sofistikuara të mbrojtjes ajrore, veçanërisht me “Patriotët” e prodhuar nga SHBA-ja, në mënyrë që forcat e Kievit të mund t’i shmangin sulmet ajrore ruse.
Gjermania së fundmi i premtoi Ukrainës një sistem të tretë “Patriot” të prodhuar nga SHBA-ja, por zyrtarët e Kievit thonë se ata ende po përballen me mungesa alarmante të mbrojtjes ajrore.
Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka rezistuar thirrjeve të zyrtarëve ukrainas për të ofruar raketa “Taurus”, të cilat kanë rreze veprimi deri në 500 kilometra.
Berlini e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke thënë se dërgimi i raketave do të sillte rrezikun e përfshirjes direkte të Gjermanisë në luftë.
Ministrja gjermane kishte planifikuar të vizitonte Kharkivin të martën, por udhëtimi u anulua për arsye sigurie.
Pothuajse 11 mijë njerëz janë evakuuar nga zonat kufitare të Kharkivit që kur Rusia nisi ofensivën atje më 10 maj.
Rruga Press