Bota

Azilkërkuesit rusë dhe ukrainas përballen me realitete të ndryshme në kufirin amerikan

Qytetarë ukrainas dhe rusë po udhëtojnë drejt qytetit kufitar meksikan të Tihuanës, me qëllim që të kërkojnë azil politik në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentët e Zërit të Amerikës ishin në kufirin e Meksikës me Shtetet e Bashkuara dhe njoftojnë se teksa shumë ukrainas arrijnë ta kalojnë kufirin, qytetarët rusë po hasin në pengesa më të mëdha për të hyrë në Amerikë.

Ditëve të fundit dhjetëra rusë dhe ukrainas ndodhen në pjesën meksikane të kufirit, me shpresën që të aplikojnë për azil politik në Shtetet e Bashkuara.

Ukrainasit kryesisht lejohen të paraqesin kërkesat e tyre, pas një udhëzimi të brendshëm që mban datën 11 mars, të agjencisë së doganeva, për t’i përjashtuar ata nga kufizimet e vendosura gjatë administratës së Presidentit Trump, që e vështirësonte procesin e kërkimit të azilit në Shtetet e Bashkuara.

Në atë kohë presidenti Trump përmendi si arsyetim rrezikun nga Covid-19, për kufizimet, por kritikët thonë se synimi i tij ishte frenimi i azilkërkuesve nga Amerika Qendrore dhe Haiti.

Vendimi vazhdon të jetë në fuqi, edhe gjatë administratës Biden.

Disa familje ukrainase janë pranuar falë përjashtimit nga ky rregull.

Lexo më shumë  Cameron: Britania do ta ndihmojë Ukrainën sa të jetë e nevojshme

Por udhëzimi i brendshëm nuk përmend rusët, megjithëse të dyja grupet ikin nga sulmi i presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë.

Marku, një menaxher restoranti, thotë se lufta e detyroi të largohej nga Rusia.

“Moska thotë se po mundohet të ndihmojë Ukrainën dhe popullin e saj. Nuk e besoj se po e bëjnë, duke bombarduar dhe shkatërruar. Nuk besoj asnjë fjalë që thuhet në televizionet ruse”, thotë ai.

Një tjetër rus nga Shën Petersburgu, që u largua me gruan dhe dy fëmijët, thotë se nuk po arrin ta besojë atë që po ndodh.

“Lufta është vrasje masive e njerëzve. Ukraina po mbron sovranitetin e saj. Po vdesin civilë të pafajshëm. Nuk duhet të ndodhë tani, njerëzit nuk duhet të luftojnë në shekullin 21”, thotë Evgeni Yarin, shtetas i Rusisë.

Zyrtarët në qytetin Tijuana u janë lutur emigrantëve rusë të largohen nga trotuaret e mbushura me njerëz pranë pikës kufitare, ndërsa autoritetet amerikane shqyrtojnë rastet e tyre.

Të shtunën, kryebashkiaku i Tijuanës tha se emigrantët u pajtuan që të vendosen në një hotel.

Lexo më shumë  98-vjeçarja ukrainase rrëfen udhëtimin e vështirë, si eci në këmbë për t’i shpëtuar ushtrisë ruse

Lufta ka peshë të madhe në mendjet e ukrainasve dhe rusëve.

Një inxhinier teknologjie hamendëson se çfarë është në gjendje të bëjë presidenti Putin.

“Jam i shqetësuar, jo vetëm për përdorimin e armëve bërthamore, por edhe për sigurinë e objekteve bërthamore në Ukrainë”, thotë Krylo Sokolov.

Ushtarët rusë në Ukrainë kanë marrë nën kontroll termocentralin më të madh bërthamor në Evropë, Zaporizhia.

Shumica e rusëve që presin ta kalojnë kufirin janë disidentë të vjetër që erdhën në Meksikë si turistë, ndërsa fluturimet midis Rusisë dhe shumicës së Evropës po ndaloheshin.

Antoni, profesor universiteti në Rusi, thotë se nëse kthehet, fat i errët e pret atë, gruan e tij dhe të tjerët.

“Në Rusi ne mund të trajtohemi si kriminelë politikë. Gjithçka varet nga jetëgjatësia e regjimit të Putinit”, thotë ai.

Ukrainasit shpresojnë që përmes azilit të shpëtojnë nga një luftë të cilës nuk po i shihet fundi, ndërsa rusët shpresojnë të ikin nga një vend që po bëhet gjithnjë e më jotolerant ndaj zërave ndryshe./VOA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *