Lajme

Avokati serb: E vërteta për vrasjen në ‘Panda’ të Pejës do t’i sillte humbje politike Vuçiqit

Avokati serb, Ivan Niniq ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për zbulimin e nxitësve, organizatorëve dhe autorëve të krimit në kafenenë “Panda” të Pejës, sepse shkaku i kësaj, ai mund të jetë politikisht në humbje.

Niniq ka thënë se për gjashtë vjet Vuçiqi ka refuzuar të pranonte në takim prindërit e fëmijëve të vrarë, të cilët i kanë kërkuar presidentit t’u jepte të gjitha detajet që ai ka për masakrën në kafenenë në Pejë, e cila ka ndodhur më 14 dhjetor të vitit 1998.

“Vuçiqi gjatë gjithë kohës nuk do t’i pranojë prindërit për bisedë, sepse mund t’i shkaktojë vetes dëm politik dhe mendoj se ai tani, duke e zgjatur këtë çështje, kërkon një strategji adekuate komunikimi. Kjo nënkupton që ai të kryejë një bisedë protokollare, e cila atë nuk e bën të ndihet komod aspak, në fakt pa marrë asnjë veprim dhe sigurisht duke mos qenë në humbje në kuptimin politik”, ka thënë avokati për “N1”.

Ai ka kujtuar se kur Vuçiqi në vitin 2013 kishte deklaruar se pas vrasjes në “Panda” nuk qëndronin shqiptarët, “atëherë ai luftoi furishëm ndaj të gjitha levave të pushtetit, ani pse pozita dhe ndikimi i tij nuk ishin as përafërsisht me fuqinë që ka sot”.

“Në atë kohë, në mënyrë dinake dhe perfide, duhej të dërgonte sinjale krejtësisht të ndryshme si në publikun vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, se reliket e së kaluarës kishin mbaruar karrierën e tyre, ndërsa sot shohim që nuk është aspak kështu”, ka thënë avokati Niniq.

Sipas fjalëve të tij, Vuçiqi ka krijuar iluzionin në familjet e të rinjve të vrarë se ai është garanti që krimi përfundimisht do të zbardhet.

Lexo më shumë  Policia konfiskoi sasi të konsiderueshme të armatimit, dyshohet se mbeti nga sulmi i Banjskës

“Dhe nuk është rastësi që në të njëjtin vit, pra në vitin 2013, ai riaktivizoi historinë e vrasjes së Slavko Çuruvija, duke pretenduar se është vrarë nga shteti”, ka thënë avokati serb.

Niniq ka theksuar se në këtë mënyrë presidenti serb, me pozitën më të lartë në shtet, shqetëson opinionin dhe pengon dëshmitë, “sepse nëse e di kush janë nxitësit dhe autorët e këtij krimi, atëherë e di pse nuk ka pasur aktakuzë dhe procedura gjyqësore për dhjetë vjet”.

“Besoj se ai di absolutisht gjithçka, sepse ka qenë formalisht koordinator i shërbimeve të sigurisë për një kohë të gjatë dhe ka pasur mundësi që atëherë, ashtu si edhe tani, të kërkojë raport për gjithçka ka ndodhur në ‘Panda’ dhe më pas. Prindërit e shohin gjatë gjithë kohës si adresë, në vend të prokurorisë. Fatkeqësisht, nuk ka asnjë prokuror që me forcën e integritetit të tij do të ndriçonte krimin në Pejë dhe do të ngrinte aktakuzë pa dijeninë dhe miratimin e Vuçiqit”, ka thënë Niniq.

Prandaj, ai ka thënë se çështja “Panda”, mbi të gjitha është çështje politike, e jo juridike.

“Sa më shumë kohë kalon aq më shumë zbehen provat, por nuk ka dyshim se shërbimet e sigurisë e mbajnë nën kyç dokumentacionin e çështjes. Nuk ka dyshim se ka dokumente që nuk janë në zotërim të prokurorisë, vetëm sepse do të rrezikonin shtetin dhe individët që në shërbim të një regjimi iu drejtuan metodave subversive të trajtimit të shqiptarëve, duke sakrifikuar jetë të pafajshme të të rinjve”, ka thënë avokati.

Ai ka kujtuar se hetimi për masakrën në “Panda” ka munguar për më shumë se dy dekada dhe se kanë kaluar nëntë vjet që kur Vuçiqi la të kuptohet se e dinte të vërtetën, të cilën shteti dhe institucionet e fshehin edhe sot e kësaj dite.

Lexo më shumë  Një ditë pas takimit me Olena Zelenskan, Vuçiqi takohet me ambasadorin rus për t’u arsyetuar

Më 14 dhjetor të vitit 1998, dy persona të maskuar kanë vrarë Ivan Obradoviq (15), Vukota Gvozdenoviq (16), Svetislav Ristiq (18), Zoran Stanojeviq (18), Ivan Radeviq (24) dhe Dragan Trifoviq (18) me breshëri automatiku në kafenenë “Panda” në Pejë, ku ishin mbledhur nxënës nga shkolla e mesme e Pejës. Në këtë ngjarje ishte plagosur rëndë Vlada Lonçareviq (18) dhe ishte plagosur lehtë Mirsad Shaboviq (34) dhe Nikola Rajoviq (18).

Deri më 28 dhjetor të vitit 2013, familjarët e të rinjve të vrarë dhe publiku ishin të bindur se krimi ishte kryer nga pjesëtarë të UÇK-së.

Mirëpo, nënkryetari i parë i atëhershëm i Qeverisë së Serbisë dhe shefi i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandër Vuçiq në “TV Pink” kishte thënë: “Krimi në ‘Panda’ nuk është bërë nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”.

Vuçiqi më vonë u kishte thënë gazetarëve se është pothuajse i sigurt se e di se çfarë ka ndodhur në “Panda”, por se “nuk ka asnjë provë” dhe se autoritetet hetuese të Serbisë nuk mund të “krenohen” me mënyrën se si e kanë kryer hetimin.

Hetimi për krimin në “Panda” ka nisur vetëm në maj të vitit 2016 në Prokurorinë për Krimin e Organizuar dhe deri më tani janë marrë në pyetje mbi 40 persona. Që nga viti 2017, prindërit e djemve të vrarë i janë drejtuar dhjetë herë kot zyrës së Presidentit të Serbisë, duke kërkuar bisedë me Vuçiqin. Presidenti Vuçiq ka premtuar të mërkurën e kësaj jave se prindërit e viktimave do të marrin përgjigje deri në fund të janarit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *