Asociacioni – një kuiz gjeopolitik serb
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka hy në një fazë të re, ku shihet se Serbia pretendon ta shndërroj atë në një kuiz gjeopolitik. Serbisë, por edhe aleatëve, mund t’i ofrojmë shumëçka, por jo substancën gangrenizuese të trupit të Atdheut me emrin Asociacion i komunave serbe me ingirenca ekzekutive, që nesër do ta cenojë rëndë sovranitetin territorial të Atdheut.
Nga Dr Sadri RAMABAJA
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE), me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), sipas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të shtatorit 2010, kishte për qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin në agjendën evropiane dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Në fillim të shtatorit 2010, në një takim të orëve të vona të natës me Boris Tadiqin, ish presidentin serb atbotë, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Catherine Ashton, arrin që përfundimisht të krijojë mundësitë e para që Serbia të mos dal tërësisht e humbur nga procesi i GjND-së. Ashtoni e bind Tadiqin që të ndryshojë tekstin e propozimit serb për OKB-në, duke e bërë nga një kërkesë për sfidimin e pavarësisë në një draft rezolutë që nxiste nisjen e dialogut Prishtinë – Beograd. Tashmë ajo ishte shndërruar në një propozim-rezolutë e përbashkët e BE-së dhe Serbisë. Modifikimi i rezolutës, siç kanë raportuar mediat atë kohë, kishte edhe pikën që thoshte se BE do ndërmjetësojë mes dy palëve, por nuk e saktësonte nëse palët ishin dy shtete të ndryshme.[1]
Rrjedha e tutjeshme e kësaj historie tashmë është e njohur.
Opinioni i qartë dhe pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, në vend se të përdorej për mbylljen e çfardo mundësie që përmbajtja dhe vet subjekti i Republikës sonë të shëndrohej në objekt diskutimi, ajo për faktin se kishim lejuar të na instaloheshin në krye të Republikës marionetat e shërbimeve të huaja, de fakto i hapi rrugë Serbisë për defunksionalizimin e Republikës sonë dhe gjatë kësaj dekade hapërimin solid në rrugën për integrime në strukturat europiane, që u shoqërua me presion ndaj palës kosovare.
Axhenda jonë për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe zhvillimin ekonomik e prosperimin në rafshin e realizimit të demokracisë pësoj goditje tronditëse, që u kurorëzua edhe me imponimin e Gjykatës Speciale dhe vënien në pikëpyetje edhe të integritetit territorial e sovranitetit të vendit.
Fillimisht nga politika jonë ishte promovuar si dialog teknik. Rrjedha pastaj dihet. Ndodhi ajo që pritej nga shumë njohës të establishmentit politik të angazhuar në këtë proces.
Sidoqoftë, marrëveshjet që ndërlidhen me Asociacionin e komunave serbe, si ajo e prillit 2013 edhe ajo e gushtit 2015, ishin kulmi i së keqes që prodhoi dyshja marionetë: Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.
Gjatë gjithë kohës sa në krye të Republikës ishin këto dy figura, dialogu qe udhëhequr de fakto nga Hashim Thaçi, edhe nëse marrëveshjen e gushtit 2015 de fakto e pati nënshkruar Isa Mustafa. Rrjedhimisht dialogu u zhvillua pa konsultime të mirëfillta kualitative të brendshme, larg vëmendjes e syrit të ekspertëve qofshin ata vendor a ndërkombëtar, e me mungesë të transparencës dhe konsensusit.
Brukseli e shfrytëzoi dialogun edhe si mjet trysnie e shantazhi, sidomos për palën kosovare.
Që të sigurohet që palët vazhdojnë të marrin pjesë në dialog dhe i zbatojnë marrëveshjet, BE integron vlerësimin e zbatimit të marrëveshjeve tek Raporti i Progresit vjetor, ndërkaq me kohë e transferoi datën, pra dialogun, respektivisht realizimin e pritshëm të marrëveshjeve, në kushte për anëtarësim, ngjashëm me Kriteret e Kopenhagës apo ato të Procesit për Stabilizim Asociim. Madje për palën kosovare, duket të inspiruar e nxitur nga vetë kreu i delegacionit tonë, natyrisht për qëllimet e tij personale, e shndërroi në kusht për liberalizimin e vizave edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Tashmë është e qartë se, Brukseli dialogun, sidomos marrëveshjen mbi Asociacionin, e kishte shndërruar në letër lakmuesi për mbajtjen e Serbisë në proces, respektivisht për t’ia përmbushur ca kërkesat presidentit serb që i ndihmonin atij të mbetej tutje në pushtet ose për ta shantazhuar presidentin kosovar, siç edhe bëri de fakto duke ia imponuar nënshkrimin e saj.
Çështjen e ASOCIACIONIT, pavarësisht se Gjykata Kushtuese e gjenë në plot 23 nene në kundërshtim me Kushtetutën dhe frymën e saj, Serbia dje ia arriti, përmes diplomatit spanjoll, aktualisht kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ta shndërroi në INTRIGË DIPLOMTIKE.
Ky fakt dëshmon se përgjatë gjithë kësaj dekade sa ka vazhduar dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga Brukseli, jo vetëm marrëdhëniet, por edhe dialogu me Serbinë janë zhvilluar mbi bazën e asimetrisë.
Tragjikja në këtë mes është se, vet delegacioni kosovar (treshja: Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Edita Tahiri), pranuan që të transformohet objekti i dialogut, duke ju nënshtruar kërkesave serbe.
Ky fakt mund të cilësohet si intrigë diplomatike e këtij delegacioni, rrjedhimisht jo vetëm intrigë diplomatike e palës serbe.
Duke e cilësuar tutje si fuqi rajonale, si faktor pa të cilin nuk mund të mbahet paqja e stabiliteti në rajon, Serbia ka imponuar pozicionin e saj, duke imponuar tashmë edhe axhendën e dialogut.
Ka ardhë koha që kjo asimetri të prishet dhe Serbia të paraqitet e tillë si është: si trampolinë të interesave ruse në këtë pjesë të Europës.
Diplomatët si rregull nuk tregohen të sinqertë në dialogjet që zhvillojnë mes kolegësh qoftë në vendin e tyre, qoftë jashtë. Por, diplomatët e vendeve të fuqishme në raport me politikanët e vendeve të vogla, duke u shtrënguar të jenë të sinqertë, shndërrohen në arrogant. Një arrogancë e veshur me petkun e diplomatit, ishte mënyra si reagoi Boorreli në takimin me delegacionin kosovar më 8 dhjetor në Bruksel, në konferencën për media, pas një debati duket jo edhe aq të lehtë.
Kjo gjuhë e diplomacisë në stilin “merreni ose lëreni” nuk i përket ndërmjetësuesit, lehtësuesit të dialogut. Kjo gjuhë ka mesazhin shtrëngues brenda: ose pranojeni Asociacionin, pra hiqni dorë nga mbrojtja e interesave tuaja nacionale, ose theni qafën! Kjo sjellje është truk diplomatik për të përligjur pretendimet e Serbisë për veriun e Kosovës.
Zoti Borell si përfaqësues i lartë diplomatik i BE-së e ka të qartë se pozita e minoritetit serb në Kosovë është rregulluar përmes Pakos së Ahtisarit si askund në ndonjë vend tjetër në Eropë, e mos të flasim për Spanjën e tij. Ajo mund të rishikohet dhe përshtatet tutje, por gjithmonë në përputhje e konform me Kartën Evropiane për Qeverisje Lokale. Në këtë dokument me peshë të Bashkimit Europian, në nenin 10, precizohet edhe “e drejta për asociacion të bashkësive vendore”, ndërkaq në paragrafin 1, 2 dhe 3 të po këtij neni, taksativisht janë përcaktuar qëllimet dhe mundësitë e një asociacioni, krijimin e të cilit e sugjeron e Gjykata jonë Kushtetuese.
Por, që tragjikja të jetë edhe më e madhe, ndërkohë, pikërisht opozita aktuale që do të duhej për efekte morali, të heshtëte si mumje, duke reflektuar për përgjegjësinë historike që ka, ajo ka hedhur në veprim eshalonin medial të saj, duke mos i kursyer edhe ca prej “ekspertëve” që ia kanë mbajtur ison dhe po ia mbajnë edhe sot. Kjo lagje “ekspertësh” aktualisht po shfrytëzohen nga establishmenti i vjetër politik si “gjethe fiku” për ta mbuluar tradhëtinë e liderëve nënshkrues të marrëveshjes dhe inferioritetin e injorancën e mbështetësve të tyre dje e sot.
Insistimi për ta trajtuar marrëveshjen mbi Asociacionin si një marrëveshje ndërkombëtare është non sens. Një marrëveshje ndërkombëtare edhe sot e kësaj dite, Kosovën e trajton si krahinë të saj dhe dialogun si proces si akt mes qendërs dhe provincës, ndërkaq vendimi i Gjykatës sonë Kushtetuese, si të tillë, marrëveshjen e hedhë poshtë, duke sugjeruar që nga akti i marrëveshjes, respektivisht në procesin e krijimit të Asociacionit, të kihen parasysh sugjerimet e dhëna dhe germa e Kushtetutës. Me këtë vendim, de fakto, Asociacioni si ishte konceptuar në marrëveshjet në fjalë (2013 e 2015), kishte rënë në ujë, meqë Serbia u dëshmua se nuk ishte e gatshme të dialogohet për një OJQ-ë siç është edhe asociacioni ekzistues i komunave në Kosovë.
Në përpjekjen për të korrektuar qëndrimin jodinjitoz të kryeministrave paraprak, në raport me marrëveshjen e 2013-ës, por edhe të legjslaturës që vulosi atë tradhëti, duke e votuar në Parlament, ne do të përballemi edhe me presion të byrokratëve të Brukselit, si puna e këtij Borellit…Por kjo nuk do të thotë se duhet të tumirim atë tip marrëveshje që i hap rrugë shkërmoçjes së Republikës.
Tashmë kur dialogu ky hy në një fazë të re, ku shihet se Serbia pretendon ta shndërroj në një kuiz gjeopolitik. Asaj, pra Serbisë, por mbi të gjitha aleatëve, mund t’i ofrojmë shumëçka, por jo substancën gangrenizuese të trupit të Atdheut me emrin Asociacion i komunave serbe me ingirenca ekzekutive, që nesër do ta cenojë rëndë sovranitetin territorial të Atdheut.
[1]https://library.fes.de/pdf-files/bueros/kosovo/09784.pdf
© Rruga Press