Opinion/Aktualitet

Asociacioni – një bombë me sahat: Ai i vë flakën rajonit

Entiteti serb të cilin duan t’ia imponojnë diplomatët perendimor qeverisë së Kosovës, përfaqëson një kërcënim ekzistencial për Republikën e Kosovës, por edhe për paqen në rajon.

Nga Dr Sadri Ramabaja

Prishtinë, 22 dhjetor — Natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, të ashtuquajturat ‘Rojat e urës’, vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra e pleq; plagosën 25 të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë banorë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë dhe banesat e tyre në flakë.

Ky është paragrafi i një kronike të gazetës Prizren Post1 në shënimin e njërit prej përvjetorëve të kësaj masakre.

Plaku 85 vjeçar, Shaip Canhasi nga Mitrovica, i cili jeton i vetmuar prej kohës kur ia vranë gruan, rrëfen në atë kronikë për ngjarjen e asaj nate.

“Pa prit pa kujtu na ndodhi ajo… Nëntë veta kanë qenë, nëntë plumba, nga të cilat dy i kishte pasur bashkëshortja…E thyen derën, pse s’po dilni ju shqiptarët prej këtu… Unë kam qenë me bashkëshorten dhe një polic nga Jordania, i cili ka jetuar me qera te unë… Shkuan ata, e morëm bashkëshorten me fut brenda, unë u rrëzova, më ra të fikët nga trishtimi… Natë e tmerrit ka qenë dhe e kemi ditë se do të ndodhë diçka… Goxha vështirë qenka. Jam i vetmuar. Po duhet vetë me shku me marrë barrëra, te mjeku”, i kishte rrëfyer për ngjarjen Canhasi, gazetares së KosovaPress-it.

Për këtë masakër kishte rrëfyer edhe kryetari i KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, jo pa mllefin e ligjshëm.

Në Kosovë, kishte filluar ai rrëfimin, ka pasur shumë masakra, por pas luftës kjo është e para dhe e vetmja e cila është kryer në prani të KFOR-it francez dhe policisë së UNMIK-ut!

Ai përmend disa nga emrat e autorëve të kësaj masakre: Oliver Ivanoviq, ish politikan serb që qe vrarë në një atentat më 16 janar 2018, për çka ndërkohë është duke vazhduar një proces gjyqësor e ku të akuzuar janë njeërz të afërt të presidentit të Listës Serbe, që është dora e zgjatur e Aleksander Vuçiqit, presidentit serb.

I pandehuri tjetër është Dragan Delibashiq, një tjetër prijës i ish “Rojës së Urës” që ndërkohë kannë krijuar “Brigadën e veriut” dhe po udhëheqin me aksionet për barrikadimin e veriut të Kosovës.

“Ka pasur shumë masakra në Kosovë, por pas luftës kjo është e para dhe e vetmja e cila është kryer në prani të KFOR-it francez dhe policisë së UNMIK-ut… Kriminelë, çetnikë serbë, kanë vrarë 10 shqiptarë brenda në shtëpitë dhe banesat e tyre, jo rrugëve…

Qendra Rajonale në Mitrovicë, ka bërë kallëzime penale për 12 kriminelë në Mitrovicë, mirëpo deri më sot janë marrë në pyetje vetëm 4 prej tyre…” i ka pohuar Agjencisë KosovaPress z. Berani.

Emrat e atyre që u vranë në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 janë: Nezir Voca, Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.

Gjenocidi si akt politik

Më 9 tetor 1948, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, sipas së cilës gjenocidi është “një krim që synon shkatërrimin, tërësisht ose pjesërisht, të një kombësie, etnike, fetare. ose grup racor duke vrarë anëtarët e tij, duke shkaktuar lëndime të rënda fizike ose psikologjike, duke e vendosur grupin në kushte të tilla jetese që mund të çojnë në shkatërrimin e tij, duke vendosur masa që çojnë në parandalimin e lindjeve në grup ose duke i çuar me forcë fëmijët në një tjetër. Grupi. “

Nga përkufizimi përkatës i OKB-së, është e qartë se masakra në Mitrovicë ka të gjitha karakteristikat e gjenocidit, megjithëse komuniteti ndërkombëtar përcaktoi vetëm masakrën në Srebrenicë, ku më shumë se 8,000 civilë dhe ushtarë boshnjakë u vranë në pak ditë në korrik 1995, si gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë. Presidenti serb që urhdëroi qindra masakra tjera në Kosovë gjaët luftës (1997–1999) vdiq në Burgun e Hagës para se të gjykohej dhe të merrte denimin e merituar, ndërkaq masakrat u mbyllun pa marrë vlerësimin e duhur, siç kishte marrë ajo e Srebrenicës.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Dihet shumë për gjenocidin në Srebrenicë, për masakrën në Prekaz, Mejë, Reçak…gjatë luftës, por për këtë të Mitrovicës që ndodhi pasi kishte përfunduar lufta (në natën e 3 shkurtit pa gdhirë 4 shkurti i vitit 2000) mund të mirret si një shembull më specifik, jo dhe aq i njohur në qarqet gazetareske e diplomatike perendimore, por ky është rast klasik i modelit se si u pregadit terreni për ndarjen e qytetit të Mitrovicës dhe se si po pretendohet të imponohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, që ka si model Republikën Srpska në Bosnjë e Hercegovinë. Ndarja e qytetit u bë përmes krimeve sistematike të luftës, por edhe masakrës së 3 e 4 shkurtit të vitit 2000.

Krimet ekzaktësisht sistematike të luftës dhe gjenocidi tok me këtë masakër mund të citohen si argumenti i parë për shfuqizimin e Marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit 2013-të.

Krimet si ai në Mitrovicën e pasluftës ishin modus operandi i autoriteteve serbe në Kosovë jo vetëm gjatë periudhës së luftës, por edhe në rrethana “paqeje e lirie”, që nga pushtimi i Kosovës në tetor 2012. Në muajt e parë të pushtimit të Kosovës, Beogradi do të përqëndrohej në shpopullimin e zonave të veçanta me interes gjeostrategjik. Në listë ishin vendbanimet rreth Maleve të Sharrit, që konsideroheshin si çerdhe e mundshme e kryengritësve. U pasua me katundet për rreth Minierës së Trepçës dhe tërë zonës së Mirovicës, që ndërlidhej me Sanxhakun e Novipazarit. Më pas projekti i ngulimit të kolonëve serb vazhdoi në zonat rreth e përçark Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe qendrave tjera urbane. Popullsia shqiptare u dëbua për Turqi.

Dhunimet — Masakra të pa trajtuara

Për këto dy dekada të pasluftës më ka rënë të takoj shumë ish luftëtarë të UÇK-së, nga ata të orëve të para, ndonjë sosh ta kem edhe si student e të lidhem shumë me ta. Të mësoj shumë të pathëna për UÇK-në e vegjëlisë, moralin e tyre të lartë dhe përkushtimin për luftë.

Njëzetedy vite pas përfundimit të luftës, në një takim krejt miqësor, me një qytetarë nga Prizreni, do të mësoj edhe për njërën nga masakrat më të rënda të kryera në Kosovë, të cilën KFOR-i e ka heshtur fare!

Miku im RK, gjatë periudhës së luftës (1997–1999) ishte pjesë e logjistikës së UÇK-së për rajonin e Prizrenit, ndërkaq pas luftës ishte në njësinë që mblidhte të dhëna për krimet serbe në rajon. Në rrëfimin e tij çmë 16 dhjetor 2022], ai shpalosi para meje kujtime nga më të veçantat nga periudha e luftës dhe ajo fill pas saj. Sikur donte të rrëfnte shumëçka që dinte.

Njërin nga rrëfimet më tronditëse për keqtrajtimin seksual të mbi 200 motrave e nënave tona të këtij rrethi, të cilat ushtria dhe policia serbe i kishin stacionuar në katundin Struzhë, ku do t’i keqtrajtonin seksualisht për dy javë rresht dhe në fund do t’i sakatonin trupat e tyre në mënyrën më makabre të mundshme para se t’i godisnin me nga një plumb në kokë, ai më kishte rrëfyer si dëshmitarë jo okular, por që dinte shumë nga ajo masakër.

“Njësiti ynë disa ditë pas përfundimit të luftës, kemi vajtuar në Struzhë pas informacieve që morëm nga një qytetar se aty ka trupa të të vdekurve shqiptarë. Vajtëm heret në mëngjes. Rrethuam shtëpinë dhe një njësit prej tre-katër ushtarëve u futum brenda. Gjetëm vetëm një plakë mbi 90 vjeçe. Ishte në shtratin e saj të lëngimit në katin përdhesë.

Shtëpia ishte e mbushur me lecka të përgjakura dhe gjinjë grashë të prerë, vithe e kofshë të shkëputura nga trupi i tyre. Ishin mbi 200 trupa. Pas nesh erdhi KFOR-i gjerman. Ata janë marrë tutje me kufomat dhe kqyrjen e vendit të ngjarjes. Ne u larguam, meqë e cilësuam se kishim kryer detyrën. Nuk më ka rënë të jetë shkruar për këtë masakër, apo të jetë dënuar dikush më atë masakër të lloit të vet.

Ishte një rrëfim nga më rrënçethësit që kisha dëgjuar ndonjherë për dhunën serbe ndaj popullit tonë, sidomos ndaj motrave e nënave tona.

Ky rrëfim më ktheu në korrikun e vitit 1999, kur po shoqëroja një ekip të TV DRS (CH) dhe po bënim një reportazh për Trepçën. Kishim zbritur në horizontin e 10-të bashkë me inxhinierët që I ishin kthyer minierës. Horizonti i 11-të ishte mbuluar me ujë. Inxhinierët po na rrëfenin për mënyrën e egër të eksploatimit që i kishin bërë kolegët e tyre serb. Duket se kanë qenë në dijeni se do të detyrohen ta lëshojnë shpejt minierën, prandaj e kanë kafshuar kaq egërsisht këtë horizont, si qakejt prenë e tyre.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Por, gjurmët e “qakejve” në Minierën e Trepçës do t’i gjejmë edhe në restaurantin e minierës. Gjithandej gjurmë gjaku në dysheme e mure, në shpuza të hedhura gjithandej e të brendshme të femrave. Po verifikonim atë që përflitej në qytet për dhunimet masive që kishin bërë ushtarët e policët serb këtu në ambientt e Minierës së Trepçës.

Marrëveshja e Brukselit (2013) duhet të nulifikohet

Përmes Marrëveshjes së Dejtonit i ishte imponuar Ballkanit Perendimor Republika Serbska — një bombë me sahat.

Përmes “Natës së Shën Bartolomeut” më 4 shkurt 2000, Franca, duke i vënë në lëvizje njësitë e veta brenda KFOR-t, kishte bërë akt të kryer përmbysjen e realitetit demografik në qytetin e Mitrovicës…; ndërkaq duke i shfrytëzuar në maksimum marionetat e veta që tashmë i kishte katapultuar në krye të Republikës, me Marrëveshjen e Brukselit (2013), do ‘ia imponojë Kosovës aktin juridik që i hapë rrugën inaugurimit të bombës me sahat. Rrjedhimisht ajo duhet të nulifikohet.
Argumenti më i rëndësishëm përse nuk duhet lejuar krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, do të duhej të ishte pikërisht ky fakt.
Dy bomba me sahat në këtë hapësirë kaq të ngushtë, do ta minonin sigurinë në rajon sa herë do ta kërkonin interesat ruse.

Arsyetimi i aktit të ngritjes së barrikadave në veri qoftë edhe duke i tumirë kërkesat që mund të kenë legjitimitet, tani dhe në këtë kohë, është dorëzim para projektit secesionit të veriut të Kosovës.

Jo një herë, Dodik dhe zyrtarë të tjerë të lartë të RS-së e kanë përsëritur se, qëllimi i ekzistencës së këtij entiteti politik ishte shpërbërja e Bosnjë-Hercegovinës dhe aneksimi i saj Serbisë.

Në fillim, kur ishte arritur Marrëveshja e Brukselit (2013), këtë e patën pohuar edhe zyrtarë të lartë të Serbisë për ZAJEDNICËN.

Aktualisht, situata gjeopolitike në këtë pjesë të Europës është nën kontrollin e NATO-s dhe BE-së, rrjedhimisht shkëputja e veriut është e pamundur, prandaj Beogradi inskenon trazirat dhe po pregaditë terrenin për imponimin e Autonomisë rajonale, si prelud i aneksimit të veriut.

Dhe, nëse aktualisht Beogradi ka hedhur hapat e parë për aneksimin e Republikës Serbska në Bosnjë, ai gjykon se këtë mund t’ia imponojë shpejt edhe veriut të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërkohë heq maskën, duke u pozicionuar si zëdhënës i “Brigadës së Veriut” që po vepron në Kosovë. Ai bëri të qartë se barrikadat janë pjesë e stategjisë së tij për pshtimin e veriut nga Serbia.

“Fillimisht Asociacioni i komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, tha Vuçiq për gazetarët në Azerbajxhan, raporton agjencia e lajmeve Beta.[2]
Ndërkaq në një fjalim të mbajtur në Kuvendin e Serbisë, kryeministra serbe, Ana Bërnabiq, në unison me gjuhën ushtarake të shefit të saj, duke ju rënë kambanave të alarmit, u shpreh pa ekuivok: “Jemi në prag të një konflikti të armatosur”.[3]

I menjëhershëm ishte reagimi i Kryetares së Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko. Për gjendjen e krijuar në veri të Kosoëvs, ajo shprehimisht e bën përgjegjës Beogradin. “Situata në kufirin me Kosovën është shumë më e ndërlikuar për shkak të pranisë së njësisë paraushtarake ruse “Wagner” dhe “Ujqit e natës” si dhe grupeve ekstremiste serbe, që bëjnë gjithçka për të provokuar një konflikt dhe më pas të gjejnë justifikim për të pushtuar veriun.” [4]

Prandaj entiteti serb, me qendër Veriun e Mitrovicës, qytetit me pozicionin më strategjik në rajon, të cilin duan t’ia imponojnë edhe një lagje diplomatësh perendimor qeverisë s Kosovës, duke kërcnuar se nëse për këtë nuk është e gatshme qeveria, ata paskan “partner alternativë”, përfaqëson një kërcënim ekzistencial për Republikën e Kosovës, por edhe për paqen në rajon.
Ky është kurthi serb në të cilin nuk do të duhej të binte diplomacia perendimore.


  1. https://prizrenpost.com/al/masakra-e-3-dhe-4-shkurtit-e-vitit-2000-ne-veri-te-mitrovices/
  2. https://www.evropaelire.org/a/aleksandar-vucic-barrikada-asociacioni-/32187649.html
  3. https://www.gazetaexpress.com/jemi-ne-prag-te-luftes-ne-beograd-i-reagojne-bernabiqit-qe-u-kerkoi-ojq-ve-te-genjejne-se-serbet-e-kosoves-po-torturohen/Asociacioni
  4. https://rrugapress.al/biserko-njesia-paramilitare-ruse-wagner-ujqit-e-nates-dhe-grupet-ekstremiste-serbe-po-provokojne-konflikt-ne-veri-te-kosoves/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *