KryesoreOpinion/Aktualitet

Asnjë aleat nuk vlen më shumë se shteti i Kosovës

Shkruan Nezir Kraki

Çdo kërkesë që në filigran fsheh qëllimin e zhbërjes së shtetësisë së Kosovës, apo zbehjen e saj deri në disfunksionim afatgjatë, duhet të refuzohet nga ata që detyrë e obligim kanë mbrojtjen e asaj shtetësie. Nuk mund të lejojmë që Kosova, 25 vite pas luftës dhe 16 vite pas pavarësisë, të përdoret si kusuritje për dëmshperblimin e një fashisti në Beograd as për qefbërjen e një apo disa diplomatëve serbofilë të humbur në hipnozën utopike të Serbisë evropiane.

Nëse ende ka evropianë e amerikanë që presin divorcin e Serbisë nga Rusia, nëse ka të atillë që ende s’e kuptuan lojën e dyfishtë të Vuçiqit sidomos pas sulmit terrorist në veriun e Kosovës, atëherë e gjithë ajo kastë diplomatësh e politikanësh janë, sipas meje dhe ndoshta pa vetedijen e tyre, idiotë te dobishëm të Rusisë.

Se evropianë e amerikanë që sakrifikojnë parime e të drejta themelore në Ballkan, duke u rreshtu krah despotëve e oligarkëve të kravatuar në politikanë, ka mjaft dhe të gjithe janë të njohur. Te atillë që «vijnë si plaka ime e kthehen si Monica Bellucci» do thoshte Çim Peka.

Lexo më shumë  Meloni do ta mallkojë atë ditë kur njohu Ramën

E keqja e madhe e kësaj theqafjeje diplomatike perëndimore është fakti se në shume raste, ata që ndihmojnë e lejojnë pushtete despotike e mafijoze në Ballkan, janë pikërisht ata idiotët e dobishëm të Rusisë. Dhe duke qenë në këtë logjikë, ata kerkojnë opsione të shpejta për suksese mediatike qe t’i perdorin pastaj për zbukurimin e CV-ve të tyre.

E keqja tjetër e madhe e kësaj diplomacie asistentësh është paaftësia e tyre që ta kuptojnë se e vetmja mënyrë për forcimin e bllokut perëndimor është konsolidimi i vendeve dhe popujve haptazi aleatë dhe integrimi i tyre në BE e NATO me procedurë të shpejtë.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Veç mbyllja politike, gjeografike e ushtarake e Ballkanit, ka kuptim gjeostrategjik afatgjate për Amerikën dhe Evropën. Kjo mbyllje duhet të bëhet me ose pa Serbinë sepse është toatlisht e padrejtë dhe e rrezikshme për vetë interesat amerikane e evropiane nëse 5 vende mbahen peng duke e pritur Serbinë evropiane të atyre që u përmendën këtu sipër. Dhe kjo mbyllje gjeostrategjike s’ka gjasa të ndodhë butësisht nëse aletët tanë e konisderojnë si krejt normal pretendimin serb mbi Kosovën dhe synimin evident të Serbisë per ripushtimin e saj me luftë.

Atëherë, po, Kosova duhet të koordinohet ditë e natë me aleatët tanë dhe të jetë e kujdesshme në veprimet që ndërmerr por askush nuk duhet te mendoje se liria e shiptarëve në Ballkan mund të përdoret si kriptovalute diplomatike për kusuritje e shitblerje në tregjet e politikës globale.

YouTube player