Opinion/Aktualitet

Asgjë e re në Serbi

Rikthimi tek vetvetja në rrafshin ideologjik – në rastin e Serbisë d.t.th rikthim tek objektivi politik permanent: ekspansioni i përhershëm në dëm të fqinjëve. Vuçiqi mbështetet sërish në gurët e vjetër që forcojnë amalgamën serbo-ruse. Evropa mbyllë sytë dhe e pret me kënaqësi përqafimin e supozuar serb.

Nga Sadri Ramabaja

Pas përpjekjeve diplomatike disa muajshe për ta futur në sirtarë raportin final të hetimit për rastin e agresionit ndaj Kosovës, të kryer më 24 shtator 2023, Serbia i rikthehet  gjeopolitikës së filleve të egzistencës së saj si shtet modern.

Çfarë duan në të vërtetë Aleksandër Vuçiqi dhe bashkëkombasit e tij që e mbështetën atë në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare, duke mbajtur kështu Serbinë në kursin prorus?  Dhe çfarë lloj koegzistence e marrëdhëniesh me fqinjët pretendon të selitë Serbia me këtë establishment politik që u rikombinua e u rikthye në pushtet?

Zgjedhje në Serbi –  mesazh për audiencën e brendshme dhe të jashtme

Zgjedhjet për parlamentin serb dhe ato për pushtetin lokal, me theks ato për qytetin e Beogradit, që u mbajtën më 17 dhjetor të 2023, ishin dhe u kualifikuan si çdo gjë tjetër përveç se të lira e të ndershme. Nuk kishte asnjë dyshim se forca politike e presidentit serb, do të fitonte zgjedhjet dhe se krahu radikal prorus, do të etablohet si asnjëherë më parë në pushtet. Në një sistem autoritar që po i afrohet gjithnjë e më shumë një diktature totalitare, as opozita – e cila edhe ashtu lë shumë për të dëshiruar – nuk ka gjasa reale dhe as nuk mund t’i besonte rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Prandaj, sidomos ato për pushtetin lokal në Beograd, u refuzuan kategorisht dhe pas presioneve nga Prendimi, si kompromis, pritet të riorganizohen. Megjithatë, duhet pasur kujdes që të mos i përshkruajmë këto zgjedhje thjesht si një “farsë” apo “mashtrim”.

Vuçiqi bëri atë që donte: dërgoi mesazhin për audiencën e brendshme dhe të jashtme se shumica dërrmuese e votuesve serbë mbështesin politikat e tij, veçanërisht  projektin e gjakuar “Botën serbe”. Reagimi i tij për ta blerë heshtjen e diplomacisë perendimore dhe shtyrjen e afatit të publikimit të rezultateve të hetimit për rastin e agresionit të 24 shtatorit 2023 në veriun e Kosovës dhe ai ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për praniminn e Kosovës, dëshmoi më shumë për dështimin e diplomacisë perendimore, se sa triumfin e asaj serbe.
Ndërkaq insistimi nga dyshja franko-gjermane për ta imponuar çështjen e dërgimit të draftstatutit të

Bashkësisë së Komunave Serbe në Gjykatën Kushtetuese, është edhe një shpërfaqje e re e asimetrisë që aplikon diplomacia e Perednimit në raportet Prishitnë-Beograd, në dobi të ushqimit të iluzionit për tërheqjen e mundshme të Serbisë nga sfera e influencës ruse.

Agresioni serb ndaj Kosovës – imazhi i Serbisë që u shpërfill

Në rastin e Kosovës, pas agresionit të shtatorit të vitit 2023, nga ana e diplomacisë perendimore u veprua krejt në të kundërtën e asaj që kishin bërë vendet baltike dhe skandinave, kur patën  publikuar analiza të thelluara të veprimeve të Rusisë gjatë gjithë krizës së Ukrainës.[1]
Ky veprim i diplomacisë perendimore në raport me Serbinë, me theks agresionin e 24 shtatorit 2023, bie ndesh edhe me logjikën e veprimit pas aneksimit të Krimesë, kur ai akt do të përfaqësonte pikën e kthesës në marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë.

Nëse Europa atbotë ende nanurisej në lavjerrësin e iluzioneve, viti 2014 kishte shenjuar pikën e kthesës që do të sfidonte rendin ekzistues, për NATO-n, kthimi i Rusisë si një aktor ushtarak nënkuptonte kthim tek “kompetencat thelbësore” të parandalimit dhe mbrojtjes së aleancës.[2]
Agresioni serb ndaj Kosovës prandaj është sinjifikativ, meqë ai është vetë imazhi i Serbisë si një fuqi rajonale. Ai akt de facto kishte nulifikuar Marrëveshen e Brukselit dhe binte ndesh me tërë ashpërsinë e mundshme me pozicionin inferior të Beogradit në diskursin e ri diplomatik që po impononte Prishtina.

Vuçiqi forcon sistemin e pushtetit personal

Gjatë dekadës së fundit, Vuçiqi ka forcuar sistematikisht sistemin e pushtetit personal, ka përqëndruar kontrollin e masmedias në duart e tij dhe ka eliminuar konkurrentët e tij më me ndikim. Kur flasim për opozitën në Serbi, vëzhguesit zakonisht i referohen pjesëve të saj liberale dhe demokratike, duke lënë në heshtje opozitën tejet radikale e proruse. Por Vuçiqi përballet me një lloj tjetër opozite të brendshme që e sheh politikën e tij të jashtme jo mjaft agresive apo vendimtare dhe beson se Serbia ofron shumë demokraci dhe liri për liberalët llafazanë dhe tradhtarët e fshehur, disi ngjashëm si në rastin e Rusisë. Do të ishte gabim të besohet se pushteti i Vuçiqit mbështetet ekskluzivisht në mjete autoritare, tek mediat që i shërbejnë për shpërlarje truri të masave të gjera, tek represioni policor dhe përndjekjet politike, si rasti i Nikolla Sadulloviqit etj.
Logjika e vërtetë e autoritarizmit serb nuk qëndron aq shumë në shtypjen se sa në ruajtjen me mjeshtëri të një konsensusi të caktuar shoqëror. Në këtë rrafsh, Kisha është institucioni më meritor që i shërben Vuçiqit.

Lexo më shumë  𝐊𝐮𝐫 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚 𝐟𝐥𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐞̈𝐧 𝐞 𝐚𝐫𝐦𝐢𝐤𝐮𝐭: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐚𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜𝐞̈ 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐧

Shoqëria serbe, e vetkuptueshme, nuk do të dëshironte kthimin në sistemin titist dhe as në kaosin e luftrave të dekadës së fundit të shekullit 20-të . Për këtë janë dakord si oligarkët që e rrethojnë Vuçiqin ashtu edhe oficerët e lartë të Armatës Serbe dhe drejtuesit e Kishës Serbe. Këtë trekëndësh real të pushtetit në Serbi, sidoqoftë, e bashkon narrativa që përqëndrohet në tri tema bosht e të ndërthurura ngushtë me njëra-tjetrën: nostalgjia jugosllave, shovinizmi ekstremqë për bazë ka teoritë strategjike mbi ekspansionin permanent dhe ndjenja antiperëndimore.

Që nga fillimi i viteve 1990-ta, kur kishte marrë fund Jugosllavia, dëshira për kohët e lavdishme të “Jugosllavisë së pavarur” dhe gjakimi për rikthimin e lavdisë së Armatës Jugosllave ka dominuar shoqërinë serbe. Ky lloj gjakimi nuk ka të bëjë me dëshirën për përfitimet sociale të socializmit vetqeverisës jugosllav. Duke përfituar nga tregëtia me armë dhe mbështetja e gjithanshme e BE-së, por edhe e Kinës dhe Rusisë nga ana tjetër, serbët sot jetojnë  shumë më mirë ngasa jetonin në epokën e Titos.

Por mania për ta zëvendësuar humbjen e Jugosllavisë si zonë e dominimit serb, mbetet një makth i përhershëm i elitave serbe.


Ekspansioni territorial imperialist si vlerë politike

Ekspansioni territorial imperialist, i rrënjosur thellë në kulturën serbe që nga periudha e krijimit të shtetit modern serb [1878], shihet si një vlerë e qartë, ndërkaq humbja e territorit shihet si një katastrofë kombëtare.
Elitat serbe asnjëherë nuk e kanë pranuar faktin se, zgjerimi dy herë radhas brenda tri dekadave, në dëm të gjeografisë shqiptare [1878 dhe 1913], ishte shkaku real i humbjes që pësuan më 1999. Edhe pas tre dekadash, shoqëria serbe nuk është e gatshme të pranojë të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve dhe pretendimin real e të arsyeshëm për sovranitet të republikave post-jugosllave.
Koncepti i ribashkimit të republikave ish-jugosllave [me theks Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës], nën suzerenitetin e Serbisë nën siglën e “Botës serbe”  ka hasur në mbështetje të gjerë kombëtare. Përveç kësaj, ky revizionizëm nuk i referohet vetëm vullnetit politik të Serbisë, por edhe rendit evropian të pas vitit 1991, madje edhe arritjeve të politikës së detantës dhe rendit ndërkombëtar të krijuar pas vitit 1945. Ndërkaq arsyet reale të shkërmoçjes së Jugosllavisë, që do të përligjin pavarësinë e ish republikave dhe Kosovës, as që mirren në konsideratë.

Antarësimi i Kosovës në NATO – shqetësimi real i Vuçiqit

Kur Serbia, nëpërmjet Vuçiqit dhe mbështetësve të tij, kërkon që Këshilli i Europës, BE-ja dhe NATO të mos bëjnë hapa që do të shpjenin drejt pranimit të Kosovës, duke rikujtuar se është në pritje të ndryshimeve gjeopolitike si në rastin e Nagorni Karabahut, për të rikthyer armatën në Kosovë, si duhet kuptuar këtë paralajmrim?  A ka vërtetë frikë Vuçiqi nga një shtrëngim rrathësh të NATOs rreth trupit të Serbisë?  A është pranimi i Bosnjës e Hercegovinës dhe ai i Kosovës në NATO një kërcënim ushtarak për Serbinë?  Natyrisht se jo, por shqetësimi i vërtetë i Serbisë është fakti se, anëtarësimi i Kosovës dhe ai i Bosnjës në NATO, e bën të pamundur aneksimin me forcë të këtyre vendeve dhe i jep fund ëndrrës për realizimin e “Botës serbe”.

E gjithë kjo zallamahi e retorikë e diplomacisë serbe që u shpërfaq gjatë kësaj periudhe që kur Asambleja e Këshillit të Europës votoj me shumicë dërmuese pro aderimit të Kosovës në këtë organizatë, përshkohet nga motive të rrënjosura thellë anti-shqiptare dhe anti-perëndimore në kulturën serbe, duke u kthyer në doktrinat zyrtare të epokës së carëve serb, ngjashëm si debati midis perëndimorëve dhe sllavofilëve në shekullin e 19-të që po zhvillohet sot në Rusinë e Putinit.
Ngjashëm si në Rusinë e Putinit që lufta për pushtimin e Ukrianës gjen arsyetim edhe në frazën për “Perëndimin e kalbur” që “depërton në Rusi me avujt e tij toksikë që u shqiptua për herë të parë në 1841 dhe mishëron një rrëfim të qëndrueshëm” [3], edhe në Serbinë e Vuçiqit, e drejta për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, pretendon të gjejë arsyetim në mitin serb mbi Kosovën. Krejt ngjashëm me Rusinë, që shumë kohë përpara Putinit kishte ndërtuar “identitetin e saj në kundërshtim me Perëndimin, duke ndërtuar një mit kulturor dhe politik në të cilin Perëndimi mishëron pothuajse të gjitha të këqijat morale, në kontrast të plotë me spiritualitetin, solidaritetin dhe pastërtinë e portretizuar të Rusisë” [4], edhe Serbia e Vuçiqit, nisur nga ky  këndvështrim, luftën e saj për rikthim në Kosovë pretendon ta ngrejë në një  dimension ekzistencial.
Në një dimension ekzistencial ndërkohë po vazhdon të ngritet edhe “Bota serbe”.
Reagimi i presidentit srb në adresë t kryeministrit të Malit të Zi që ndërlidhet me çështjen e rezolutës së inicuar në OKB nga Gjermania dhe Ruanda e që ka të bëjë me gjenocidin serb në Srebrencicë, sikur i jep vulë një paralajmrimi të kësaj natyre. Këtij reagimi sikur i mungon vetëm dekreti serb shembëllim atij rus të 8 majit, që deklaron se  “popujt e Rusisë janë një bashkësi e vetme kulturore e botës ruse”.[5]  Kërcnime të kësaj natyre të Vuçiqit në adresë të Malit të Zi, pas mohimit të gjenocidit nga metropoliti i Kishës Serbe në malin e Zi, ushqejnë pikëpamjen serbe mbi dimensionin ekzistencial të kombit dhe kulturës serbe vetëm nëse realizohet “Bota serbe”.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Kjo qasje prandaj është tejet shqetësueshme dhe e rrezikshme. Për të kuptuar këtë, është e rëndësishme të shikohet se si një konflikt lokal mund të përkeqësohet dhe të transformohet në një çështje ekzistenciale për një vend ose popull.
Çështja merrë përmasat e një ndërlikimi të plotë për shkak të historisë së dhimbshme dhe të tronditëse nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë mëse një shekulli të plotë, duke qenë koloni tipike e Serbisë dhe duke ju nënshtruar dy gjenocideve brenda një harku shekullor [1913/1999], pas gjenocidit që I ishin nësnhtruar shqiptarët në Toplicë [1878]. Ky lloj përqendrimi ekstrem dhe i mbyllur në ideologji nacionaliste, pastaj tek e drejta historike dhe tek sovraniteti  shtetëror, e qartë, i shërben Serbisë si justifikim për përdorimin e forcës për të arritur qëllimet e saj, duke e shikuar çështjen si një betejë për ekzistencën e saj si popull dhe si shtet.

Do të ishte një naivitet profesional e politik të besosh se Vuçiqi po i shfrytëzon në mënyrë cinike këto ndjenja për të konsoliduar pushtetin e tij. Përkundrazi, ai i ndan këto ndjenja sinqerisht me gjithë elitën kulturore e politike serbe, e në masë të ndjeshme edhe me qytetarët serb.

Edhe pas krejt kësaj, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, shprehet se mezi pret të punojë me Qeverinë e re të Serbisë! 

“Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviq. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, [6] kishte shkruar Borrell në rrjetin social X.

Çfarë do të thotë kjo për situatën aktuale dhe perspektivën e Kosovës?
Sado këmbëngulëse duket në aparencë diplomacia perendimore për ta mbajtur Serbinë në kursin e paqes, duke imponuar negociatat e bazuara në Rezolutën e OKB-së të shttaorit të vitit 2010, që e ngarkon BE-në si lehtësuese e ndërmjetësuese e dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ngulitja e thellë e tre narrativave qendrore në politikën e jashtme serbe sugjeron se ambiciet ekspansioniste serbe do të vazhdojë.
Krijimi i qeverisë së re serbe me element pro rus brenda saj, prandaj nuk paraqet asgjë të re në Serbi; ky akt nënkupton një lloj rikthimi tek vetvetja në rrafshin ideologjik – që në rastin e Serbisë d.t.th rikthim tek objektivi politik permanent: ekspansioni i përhershëm në dëm të fqinjëve, para së gjithash të shqiptarëve.

___________________________

1. Shih për këtë psh. GRANHOLM, Niklas/MALMINEN, Johannes/PERSSON, Gudrun (Hrsg.) (2014): A Rude Awakening. Ramifications of Russian Aggression Towards Ukraine. FOI Study, FOI-R–3892–SE/2014, Stockholm: Swedish Defence Research Agency, FOI; BĒRZIŅŠ, Jānis (2014): Russia’s New Generation Warfare In Ukraine: Implications For Latvian Defense Policy. Policy Paper 02, Riga: National Defence Academy of Latvia Center for Security and Strategic Research.

2. Krahaso: VARWICK, Johannes/MATLÉ, Aylin (2016): Die NATO und hybride Kriegführung. In: Sicherheit & Frieden, 2/2016, S. 121–125, hier: S. 122. 321 Vgl. BUITRAGO, Sybille Reinke de (2016): Threats of a Different Kind: China and Russia in U.S. Security Policy Discourse. In: Sicherheit & Frieden, 3/2016, S. 165–170, hier: S. 168.

3. Dr Dmytro Mykhailychenko: https://www.ipg-journal.de/regionen/europa/artikel/im-osten-nichts-neues-1-7481/?utm_campaign=de_40_20240503&utm_medium=email&utm_source=newsletter

4. Po aty

5. Shih windowoneurasia2.blogspot.com/2024/05/putin-declares-etnic-russians-state.html

6. https://www.evropaelire.org/a/borrell-thote-mezi-pret-punoje-qeverine-serbe/32932484.html

Rruga Press

YouTube player