Asani dhe Asllani, perlat e kombëtares në podium për “golin më të bukur”
Perlat e realizuara nga Kombëtarja shqiptare gjatë kualifikueseve të Euro 2024 janë pozicionuar në podium në garën për “Golin më të Bukur”.
Dy rrjetat e Jasir Asanit dhe Kristjan Asllanit u pozicionuan në vendin e dytë dhe të tretë, pas votimit të hapur nga UEFA, ku tifozët mund të votonin për preferencën e tyre mes dhjetë golave të përzgjedhur nga paneli teknik.
Goli më i bukur u shpall ai që u realizua nga Askhat Tagybergen i Kazakistanit, në ndeshjen e luajtur përballë Danimarkës. Kapiteni i kazakëve shënoi pas një predhe nga më tepër se 25 metër distancë.
Në vendin e dytë u pozicionua goli i jashtëzakonshëm i Jasir Asanit kundër Polonisë. Inkursioni nga e djathta e sulmit, devijimi në qendër dhe e majta e shkëlqyer e bën të pamundur reagimin e portierit Szcezcny.
I treti bazuar në votat e marra ishte ylli tjetër kuqezi, Kristjan Asllani. Rrjeta e realizuar prej tij në fitoren 3-1 në Ishujt Faroe është një përzierje e klasit, teknikë dhe potencës në goditje. Jo rastësisht ajo u shpall “Goli i Javës” dhe u përfshi në Top 10 të realizimeve më të bukura.
Pozicionimi i Asanit në vendin e dytë dhe Asllanit në vendin e tretë ishte edhe pasqyra më e mirë e edicionit kualifikues të Kombëtares. Ecuria rekord e kuqezinjve, që arritën të fitonin Grupin E u karakterizua pikërisht nga rezultatet e arritura me shënimin e golave fantastikë, sepse nuk mund të harrohen as goli i Asanit kundër Moldavisë dhe perla e Bajramit në Republikën Çeke.
Rruga Press