Arsimi në Shqipëri është bërë një banalitet i madh – Nuk do mbushen auditorët e universiteteve me filipinezë, siç po bëjnë me punëtorët
Nga Megi Mustafaraj
Në një shtet si Shqipëria, kur dikush vendos të zgjerojë studimet e veta, ka pasoja përjashtuese nga një VKM që plotëson Ligjin famëkeq të Arsmit të Lartë, duke të demoralizuar dhe rrjepur njëkohësisht.
Një student/e që vendos të bëjë një master të dytë në Universitetin e Tiranës, përveç se paguan më tepër se të tjerët që e kanë master të parë, nuk përfiton as gjysmë burse edhe pse e ka mesataren mbi 9. Pra, vetëm se e ka master të dytë.
Shteti pseudo-social, në vend që të investonte te thellimi i studimeve që do i jepte qytetarë gjithnjë e më të kualifikuar nëpër lëmi, ai takson më tepër dhe përjashton edhe kur flitet për rezultate të larta.
Nga kjo kuptohet se meraku i shtetit është t’i heqë qafe njerëzit vetëm me një copë diplome, ndërkohë që për studimin e vërtetë nuk do t’ia dijë fare, për pasojë, nuk do t’ia dijë për angazhimin e vërtetë të resurseve të veta humane, që quhen qytetarë apo popull. Nuk e ka në plan, sepse nuk ka ndonjë plan për këtë vend.
Nuk po i thërrasin mendjes edhe pse auditorët janë çdo vit e më bosh, sepse diplomat që kanë dhënë, studimet që kanë ofruar dhe e ardhmja që i ka pritur ata studentë ka qenë një bosh i madh.
Nuk do mbushen auditorët me filipinezë, ashtu siç po bëjnë me punëtorët (Më duket se një “mendjendritur” e dha si ide edhe këtë).
Arsimimi po kthehet në banalitetin më të madh, veçanërisht këto vitet e fundit. Spektatorët e kësaj shfaqjeje të tmerrshme jemi vetë si popull, por bashkë me pasojat e kësaj bëhemi edhe viktimat.
Rruga Press

