Bota

Arrin në 164 numri i viktimave nga trazirat në Kazakistan

Ministri i Shëndetësisë i Kazakistanit tha të dielën se 164 persona kanë humbur jetën në protestat e javës së kaluar në vend. Shifrat e njoftuara nga një kanal televiziv në vend përbëjnë një rritje të madhe krahasuar me ato të publikuara më parë. Nuk është e qartë nëse viktimat përfshijnë edhe numrin e viktimave civile. Ndërkohë, zyra e presidentit të Kazakistanit tha të dielën përmes një deklarate se një numër “objektesh strategjike” të vendit janë nën mbrojtjen e trupave të aleancës ushtarake të udhëhequr nga Rusia, e ftuar për të rivendosur rendin. Kazakistani po ndeshet me trazirat më vdekjeprurëse që nga pavarësia nga Bashkimi Sovjetik 30 vite më parë.

Dhjetëra njerëz janë vrarë, mijëra të tjerë janë arrestuar dhe shumë ndërtesa publike janë djegur në të gjithë Kazakistanin, një vend i madh i Azisë Qendrore, gjatë javës së kaluar. Presidenti Kasimm-Jomart Tokajev lëshoi urdhrin për të qëlluar pa paralajmërim në përpjekje për t’i dhënë fund dhunës nga njerëzit që ai i quan banditë dhe terroristë.

Lexo më shumë  Koreja e Veriut kryen provë të raketës balistike ndërkontinentale

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha në një intervistë të dielën se urdhri i Presidentit Tokajev është i gabuar dhe duhet anuluar.

Me ftesë të Presidentit Tokajev, Organizata e Traktatit për Sigurinë Kolektive (CSTO), e udhëhequr nga Rusia dërgoi trupa për të rivendosur rendin, një ndërhyrje që vjen në një kohë tensionesh të larta në marrëdhëniet Rusi-SHBA, përpara bisedimeve të reja për krizën në Ukrainë.

“Një numër objektesh strategjike kanë kaluar nën mbrojtjen e kontingjentit të bashkuar paqeruajtës të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive”, tha zyra presidenciale përmes një deklarate, pa dhënë më shumë hollësi se për cilat objekte bëhet fjalë.

Ministria ruse e mbrojtjes publikoi të dielën një video të trupave ruse në aeroportin ndërkombëtar të Almatit dhe aeroportin ushtarak Zhetjgen pranë Almatit.

Zoti Blinken tha se Uashingtoni ka kërkuar sqarime nga zyrtarët e Kazakistanit lidhur me vendimin për të kërkuar ndihmën e forcave ruse për t’iu përgjigjur trazirave të brendshme.

Lexo më shumë  Elon Musk ftohet në gjykatë lidhur me shpërblimet e tij me para për votuesit

Qeveria e Kazakistanit tha se 5,800 njerëz janë arrestuar në lidhje me trazirat, duke përfshirë një “numër të konsiderueshëm” të shtetasve të huaj. Autoritetet gjithashtu thonë se situata është stabilizuar në të gjitha rajonet e vendit.

Protestat në Kazakistan filluan si një reagim ndaj një rritjes së çmimit të karburantit përpara se të shndërroheshin në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë së Presidentit Tokajev dhe ish-Presidentit të vendit me burime të shumta natyrore, Nursultan Nazarbajev.

81 vjeçari Nursultan Nazarbajev ishte sundimtari më jetëgjatë i një vendi ish-sovjetik deri në kohën kur ia dorëzoi presidencën Tokajevit në vitin 2019. Familja e tij besohet se ka ruajtur ndikimin në Nur-Sulltan, kryeqytetin e vendit që mban emrin e tij.

Presidenti aktual Tokajev e shkarkoi ish-presidentin Nazarbajev të mërkurën nga posti i kreut të Këshillit të Sigurisë, një rol në të cilin ai kishte vazhduar të kishte ndikim të rëndësishëm.

Ish-shefi i zbulimi në Kazakistan dhe kryeministri me dy mandate, Karim Massimov është arrestuar nën dyshimet për tradhti./VOA/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *