Lajme

Arrestohen tre persona veri të Mitrovicës, njëri nga ta kishte urdhër-arrest aktiv për një laborator droge

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, ndërkaq njëri nga ta kishte urdhër-arrest aktiv në lidhje me një laborator droge.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se në orët e hershme të së enjtes, saktësisht rreth orës 03:15,  Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Patrulluese e Stacionit Policor Mitrovicë-veri, gjatë angazhimeve të saj në garantimin e sigurisë dhe parandalimin e veprave penale, ka ndaluar për kontroll automjetin e tipit VW Golf, të cilën e drejtonte i dyshuari me iniciale m/s (N. M.) dhe pasagjerë në automjet ishin të dyshuarit me inicialet (M. T. dhe D. J.)

Lexo më shumë  Shpopullimi në shifra: Shqipëria me 36 mijë më pak nxënës në dy vite

Pas ndalimit të automjetit nën dyshimin për posedim të substancave narkotike është kontrolluar automjeti dhe në të është gjetur sasi e dyshuar e kokainës dhe marihuanës.

Dëshmitë e sekuestruara janë evidentuar si në vijim: sasi e dyshuar e kokainës me peshë rreth 10 gramë,  sasi e dyshuar e marihuanës me peshë 98 gramë, para (kesh) 83540 dinar të Serbisë dhe 205 euro dhe katër telefona mobilë.

Gjatë verifikimit të personave të ndaluar nga Policia e Kosovës ka rezultuar se i dyshuari me iniciale (M. T.) m/s, ka urdhër-arrest aktiv në lidhje veprën penale për narkotik/laborator droge.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me aktvendim mbi ndalim për tre personat e dyshuar është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Rruga Press

YouTube player