Arrestimi i Lefter Kokës, Likmeta: Hetim sipërfaqësor, s’janë përfshirë inceneratorët e Fierit dhe Tiranës
Kryeredaktori i BIRN Besar Likmeta tha në emisionin “Now” me Erla Mëhillin se hetimi i SPAK për inceneratorët është i vonuar dhe sipërfaqësor.
Ai tha se vetëm 1/10 e asaj që pretendohet të jetë afera e inceneratorëve është temë e masave hetimore që janë marrë sot nga SPAK në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, ku u arrestua edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.
“Inceneratori i Elbasanit është vetëm një nga kontratat, me vlerë 26 milionë euro. Kemi edhe kontratën e Fierit që vlen 28 milionë euro dhe kontratën e inceneratorit të Tiranës që është 450 milionë euro, sepse llogaritet edhe periudha që do të administrohet nga kompania, kosto që i mbulojmë si taksapagues”, u shpreh ai.
Për Besar Likmetën mungesa e hetimit për inceneratorët e Fierit dhe të Tiranës është e pakuptimtë, pasi janë të përfshirë të njëjtët kompani dhe persona.
“Çudia më e madhe sot është që kemi sekuestrimin e kompanisë “Integrated Technology Services”, por nuk kemi sekuestrimin e inceneratorit të Fierit që është në pronësi të kësaj kompanie 70%, nuk kemi sekuestrimin e kompanive që janë të lidhura me znj. Gugallja, ose me z. Zoto”, tha Likmeta.
Këto dy kontrata të tjera nuk preken, tha Likmeta dhe kompanitë e personat që janë përgjegjës, mund të jenë në këto momente duke fshehur provat për shkeljet që kanë bërë./ euronews albania/