Arrestimi i dhunshëm, urdhri hakmarrës dhe shteti policor
Nga Enton Abilekaj
Mund të ishte ndjekur në gjendje të lirë, ashtu si po ndodhte këto 2 vite që ishte nën hetim, pasi u largua nga President. Ai e dinte që po hetohej, replikonte publikisht me prokurorët dhe Drejtuesin e SPAK, por nuk tentoi të arratisej. Mund të ishte njoftuar nga policia, SPAK-u apo Gjykata Speciale për masën e sigurisë dhe detyrimin për t’u dorëzuar vetë në polici. Nëse do të refuzonte të shkonte, mund të merrej në vendbanimin e tij, ndoshta edhe forcërisht nëse do të rezistonte, pa praninë e njerezve dhe pa praninë e kamerave.
Në vend të këtyre mënyrave, që janë standarde në gjithë botën demokratike, u zgjodh një mënyrë që është standard vetëm në diktaturë. Ish – Presidenti, Kryetar i kuvendit dhe Kryeministër, u ndalua në rrugë nga policë të maskuar, u nxor forcërisht nga makina dhe u tërhoq me dhunë në rrugë deri te makina e policisë që ishte pa shenja dalluese. Nëse nuk do të kishte njoftim jozyrtar të policisë për mediat, videoja amatore që u bë, do të dukej si një rrëmbim në narko-republikat e Amerikës së Jugut.
Mund të jenë shumicë ata që mendojnë se ashtu duhet t’i ndodhte Ilir Metës, të akuzuar disa herë nga mediat, kolegët dhe kundërshtarët për korrupsion, të regjistruar në një video me ministrin e tij duke bërë pazar për 700 mijë euro, për t’u bërë në perceptimin publik, një nga simbolet e shpërdorimit të pushtetit. Këto pamje mund të duken shpaguese për ata që zemërimin dhe zhgënjimin 34 -vjecar të post-diktaturës, ia atribuojnë korrupsionit të politikanëve të të gjitha ngjyrave dhe Ilir Metës si një prej pushtetarëve më jetëgjatë. Njësoj si në Francë në 1789, apo në Rumani në 1989, kur varja dhe pushkatimi publik i njerëzve me pushtet kënaqte milionat e njerëzve të torturuar nga varfëria që mbollën regjimet e saporrëzuara.
Por në këto 200 vjet përvojë, ajo që u vërtetua, është se hakmarrja dhe tejkalimi i ligjit, janë mënyrat më të këqija për të ndërtuar të ardhmen. Ajo që sollën këto mënyra të trajtimit të kundërshtarëve që sapo kishin humbur pushtetin, ishte vetëgjyqësia dhe abuzimi. Një një shtet me standarde minimale dekomratike, do të ishte alarmues trajtimi i një qytetari në atë mënyrë, nëse nuk do të ishte kapur në flagrancë duke rvarë apo duke tentuar të vrasë. Shpalosja e represionit shtetëror në mes të rrugës, dhunimi i të drejtave bazë të cdo qytetari nga organet e zbatimit të ligjit, përdorimi i forcave të armatosura për të ekzekutuar vendimin e gjykatës, pa patur asnjë të dhënë për rrrezikshmëri të personit, janë shkelje të ligjit. Një polic që ka frikë nga ligji, nuk guxon ta bëjë më asnjë qytetar.
Kur kjo ndodh me ish Presidentin e Republikës që është njëkohësisht kryetar i një partie opozitare me 110 mijë vota dhe 4 deputetë në Kuvend, atëherë kuptohet që qëllimi nuk është Drejtësia, as një shtet me standarte demokratike, as ndëshkimi i të korruptuarve. Qëllimi është spektakli i dhunës policore që shpaloset ndaj një kundërshtari të pushtetshëm, është hakmarrja politike që arrin deri në nëpërkëmbjen e kundërshtarit, është dhënia e shembullit për të mbyllur gojën përpara një shteti policor.
Kjo shkelje flagrante e ligjit, ky spektakël antinjerëzor dhe antiligjor, nuk mund të ndodhte me dëshirën e 10 policëve, as me urdhërin e shefit të tyre, kushdoqoftë. Garancitë për dhunimin flagrant dhe zëvendësimin e ligjit me dhunë, mund t’i japë vetëm ai që është mbi ligjin. Ligjin e ka zëvendësuar vetëm Edi Rama me urdhërat e tij. Mbifuqinë ndaj ligjit e ka konfirmuar vetëm Edi Rama me urdhërat publikë që ka dhënë nga studio e opinion për Fredi Belerin, nga selia e PS për Arben Ahmetajn dhe nga salla plenare e Kuvendit për Ervin Salianjin. Vetëm ai mund të urdhëronte atë që arrrestin shqetësues që ndodhi sot në mes të Tiranës. Nëse nuk e ka urdhëruar ai, atëherë zbatuesit do të dalin përpara ligjit.
Rruga Press