Arrest në burg: Çfarë përfiton Edi Rama nga izolimi i Erion Veliajt
Në rrugën “Jordan Misja” përballë godinës së SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, kanë ndodhur dy situata kontradiktore në dy raste kur Erjon Veliaj është paraqitur në gjykatë për masën e arresit: E para në 11 Shkurt, ditën kur vlerësohej masa e sigurisë “arrest me burg” nga Erjon Bani dhe e dyta atmosfera në tre ditët nga 11 deri në 13 Mars, kur e njëjta masë “arrest me burg” u rikonfirmua nga gjykatësi Engert Pëllumbi.

11 Shkurt. Qindra vetë u dyndën në sheshin e vogël përpara SPAK-ut, shumica militantë të Partisë Socialiste, të gjithë rrogëtarë të bashkisë, pjesa më e vogël biçim artistësh, personazhe të pompuar nga silikoni dhe rubrikat e shoëbizz, të gjithë përfitues të fondeve të Bashkisë së Tiranës, që i drejtonin gishtin nga gjykatësit dhe prokurorët me thirrjet “Turp! Turp! Turp!”.
Në mbrëmje vonë, kur dolën jashtë, prokurorët dhe gjykatësit u gjendën nën presionin e protestuesve që shtynin makinat e tyre dhe i bërtisnin, ndërsa ata pak policë që u gjendën aty, përpiqeshin të mbanin turmën me duar.

13 mars. Atmosfera ka ndryshuar. Sheshi i vogël para Gjykatës së Posaçme qe një peizazh i zbrazur, ku dëgjohen veç zërat e gazetarëve të televizioneve që raportojnë në lidhje direkte me publikun, ndërsa makinat kalojnë në rrugën përballë godinës.
Pak policë në gadishmëri. Në fakt nuk ishte nevoja për asnjërin prej tyre, pasi situata ishte e qetë.
Kontrasti është brutal dhe nxjerr në pah një të vërtetë të pakundërshtueshme: Erjon Veliajt nuk i ka mbetur më asnjë mbrojtje politike.
Kryebashkiaku i Tiranës është i vetëm në këtë betejë me drejtësinë, ndërsa për ata që e shoqëronin furgonin e policisë me thirrjet “Duam Lalin”, sot ishte një ditë e zakonshme pune në bashki. Që Rama e ka braktisur, nuk ka më dyshime. Por pyetjet që mbeten ende pas burgosjes së Lalit janë disa: A ishte kjo pjesë e një plani të hartuar me kohë? Çfarë përfiton Rama nga izolimi i kryebashkiakut të Tiranës, punëmbaruari i tij, që arrinte atë që të tjerët nuk e kryenin dot?
Edi Rama dhe shpërthimi i kontrolluar për Veliajn

Nëse qëmton me radhë hapat që ka ndjekur Edi Rama në raport me Veliajn aty dallohet se izolimi i Lalit nuk nis dhe mbaron tek dosja e prokurorit Olsi Dado, por është një proces që shtrihet më parë në kohë, një plan që Edi Rama ka nisur ta zbatojë që nga 2024.
Përtej reagimeve teatrale me përplasjen e duarve në tryezë, përtej fjalorit agresiv për dosje të veçanta të SPAK, kryeministri e ka menaxhuar këtë mini-krizë me sjelljen e njeriut që e dinte paraprakisht atë që po ndodhte: fillimisht e lejoi Veliajn të zhvillonte shfaqjen e tij politike, e la t’i digjte të gjitha kartat, dhe më pas, me një të rënë të lapsit, ia mbylli të gjitha dyert.
Duhet thënë se plani i Ramës për izolimin e Veliajt ka nisur shumë kohë më parë dhe vetë Rama ka vepruar në tre fronte: 1) në parti, 2) në bashki dhe 3) në grupin parlamentar të PS.
Zëvëndësimi në Parti
Që në muajt e parë të vitit 2024, Rama kritikoi Erjon Veliajt në mbledhjet e Asamblesë së PS dhe shfaqi pakënaqësi për takimet të cilat i krahasoi me përçmim me stilin e një OJF. Nuk shkoi shumë dhe pesha e Veliajt në Tiranë u lehtësua.
Nga lideri i padiskutueshëm i Tiranës, balancat ndryshuan në peshore dhe fuqia vendimmarrëse u bë më e gjerë pasi në strukturat e partisë u futën disa drejtues të tjerë në zona të ndryshme si Ogerta Manastirliu, Elisa Spiropali, Blendi Gonxhe, Erjon Braçe etj.
Rama nuk e fshehu ftohjen e marrëdhënies me Veliajn në publik, sikur kërkonte t’i jepte sinjal dikujt që e kishte të padëshiruar tani “delfinin” e tij. Situata më flagrante ishte ajo që ndodhi në Bashkinë e Tiranës, pas pjesëmarrjes së detyruar të Ramës në ambjentet e Bashkisë ku kishte mbërritur Ali Ahmeti. Pas takimit, Rama e retushoi foton duke fshirë Erjon Veliaj dhe më pas e publikoi ashtu gjysmake në rrjetet sociale. Duhet thënë se kur ndodhi arrestimi i Veliajt, roli i tij në parti ishte praktikisht i zhbërë dhe detyrat kryesore kishin kaluar tek emra të tjerë të drejtuesve socialistë.
Zëvëndësimi në bashki
Rama menaxhoi me qetësi edhe zëvëndësimin e Veliajt në Bashki. Disa herë në media kanë dalë pamjet e tij, teksa afrohet duke ecur drejt Bashkisë së Tiranës, i shoqëruar nga një grup njerëzish që e ndjekin nga pas. Ndërsa Veliaj i përdorte deri dje vartësit e tij në shërbim të luftës kundër SPAK, tashmë është Rama që e kontrollon punën në institucionin, që e udhëhoqi për tre mandate nga viti 1998 deri në 2011.
është Rama që mbikqyr projektet e reja. është Rama që shfaqet në aktivitetet e Bashkisë, ndërsa është po ai që i takon vetë drejtorët në zyrat e bashkisë duke ua bërë të qartë mesazhin: “skuadra e Tiranës” ka një kryetar të ri.
Një nga momentet kyçe të kur Veliaj u flak tej sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, ishte mitingu që Rama organizoi në sheshin Skënderbej me të gjithë punonjësit e bashkisë së Tiranës. Me ata që kishin thirrur “Duam Lalin” para dyerve të gjykatës, Rama i siguroi se skena si ato në Amerikën Latine ku kryhen grusht shteti në mes të ditës, nuk do të ndodhin më: “Nuk më takon mua të them nëse Lali Eri është i pafajshëm apo fajtor dhe pavarësisht se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim edhe në këtë rast dhe t’ia lë drejtësisë ta ndajë këtë dilemë, duke mbështetur pavarësinë e organeve të drejtësisë”.
Heshtja e grupit parlamentar
Një tjetër situatë për t’u menaxhuar, ishte ajo e grupit parlamentar ku disa prej deputetëve ishin në një marrëdhënie shumë të afërta me Veliajn. Interesant ishte momenti kur Klotilda Bushka, kushërirë me Ajola Xoxën u ftua të japë shpjegime për situatën e saj në raport me SPAK.
Sapo Klotilda Bushka nisi të mbrojë Erjon Veliajn para grupit parlamentar, Rama ndërhyri me fjalët: “Klotilda të lutem nuk ka nevojë për këto komente, mjafton sqarimi i rastit tënd, se është shumë e rëndësishme që ne të jemi të vëmëndshëm se ne jemi garancia e pavarësisë së prokurorisë dhe gjykatës speciale”.
Ky ishte një sinjal për të gjithë: mbrojtja e Veliajt nuk është më e tolerueshme. Ndoshta nuk e kishte marrë të plotë mesazhin deputeti Etjen Xhafaj që vazhdoi ta mbrojë kryebashkiakun e arrestuar, duke e quajtur izolimin e tij në burg të padrejtë. Disa orë më vinë, në një mesazh të dytë për deputetët, Rama i quajti këto deklarata “bajate dhe të papranueshme”. Duke mos lënë hapësira për keqkuptime, ai i ndaloi të flasin për Veliajn në publik, duke i dhënë fund mbrojtjes publike për kryebashkiakun e arrestuar.
Strategjia e Veliajt për të mbajtur nën presion SPAK dhe gjykatën mori fund. Me mbikqyrjen e Ramës, Veliaj u braktis nga partia, nga bashkia dhe nga deputetët e PS.
Ata që deri dje ishin në rresht për të duartrokitur “Lalin”, sot janë zhdukur. Nuk ka më artistë që të bëjnë thirrje, nuk ka më kërcënime ndaj Altin Dumanit, nuk ka më punonjës bashkie që të rrethojnë furgonët e policisë. Edhe më besnikët e tij kanë marrë sinjalin: kjo betejë është e humbur.
Çfarë përfiton Rama nga izolimi i Veliajt
Nëse e lexojmë këtë skenar me dyshimin se hetimi i SPAK për Erjon Veliajn nisi si kurth i koordinuar me Edi Ramën për ta hequr qafe kryebashkiakun, atëherë lind pyetja: Çfarë përfiton Rama nga burgosja e Erjon Veliajt? A nuk do të ishte më mirë për të, që ta shfrytëzonte një herë kryebashkiakun për fushatën e 11 Majit, pastaj ta lëshonte në gojën e SPAK?
Për ta kuptuar këtë duhet të kthehemi 4 vite më parë, në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2021. Ky ka qenë ndoshta momenti i vetëm kur Edi Rama u ndje jo thjesht i pafuqishëm në partinë e tij, por edhe i sfiduar nga kanakari i tij, të cilit i kishte falur gjithçka.
Në zgjedhjet e 2021, Rama zgjodhi që disa prej deputetëve më të vjetër dhe të padëshiruar për të në Partinë Socialiste, t’i shmangte me elegancë duke i renditur jashtë zonës së sigurtë në listat e deputetëve.
Por çfarë ndodhi atëherë? Thuajse të gjithë deputetët që ishin në zona të pasigurta në listën e Tiranës, i kthyen sytë nga Erjon Veliaj. Me një administratë që arrin thuajse 10 mijë të punësuar dhe me gati 150 milion euro buxhet, Veliaj ishte njeriu që mund të orientonte edhe votat brenda strukturave të Partisë Socialiste në Tiranë, duke favorizuar njërin kandidat apo duke penalizuar tjetrin.
Asokohe pati një garë të brendshme mes kandidatëve për deputetë për të pasur një takim, për të zhvilluar një aktivitet, për të mbjellë një pemë apo për një fjalim të shpejtë përkrah Erjon Veliajt, sepse bashkë me sinjalet për strukturat e partisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës garantonte edhe jehonën mediatike nëpërmjet kronikave në televizionet që kontrollonte.
Shembulli Xhafaj, sfida që Veliaj i bëri Ramës
Shembulli më i mirë i fuqisë së Veliajt në Tiranë ishte Fatmir Xhafaj. Në vitin 2018, Rama e shkarkoi Fatmir Xhafajn nga detyra si Ministër i Brendshëm pas një përplasjeje publike që patën me njëri tjetrin.
U tha se Xhafaj vendosi të ecë para me disa arrestime në lidhje me operacionin “Volvo 4”, ku ranë në pranga disa ish-deputetë socialistë, Ben Ndoka, Arben Çuko, disa eksponentë të krimit, si Astrit Avdylaj, ndërsa u përfol se ishte bërë gati arrestimi i Vangjush Dakos, ish kryetarin e bashkisë së Durrësit që ishte shpallur non grata nga SHBA.
Pasi e dorëhoqi Fatmir Xhafajn, Rama tha se nëse je pjesë e një partie nuk mund të jesh njësoj i lirë. “Nuk je i lirë të dalësh atje e të gjuash me gurë shtëpisë ku jemi bashkë se nuk ka kuptim. Nëse do të dalësh ti gjuash me gurë shtëpisë, ik se nuk je pjesë e shtëpisë.”
Fatmir Xhafaj iu përgjigj atëherë flakë për flakë. “Ka edhe njerëz në politikë, që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time” tha ai.
Nuk ishte rastësi që Xhafaj përfundoi në listën e pasigurtë në zgjedhjet e vitit 2021. Por ndërsa Rama e nxorri nga dera, Veliaj e futi nga dritarja. Fatmir Xhafaj doli deputeti më i votuar në listën e Partisë Socialiste dhe mori 16 mijë e 738 vota.
Kuptohet se kjo shifër nuk ishte produkt i vetë Xhafajt, as ndonjë pakënaqësi që socialistët kishin me Edi Ramën. Kjo ishte e gjitha meritë e Erjon Veliajt, që kishte punuar në prapaskenë duke e orientuar votën nominale të partisë tek ish-ministri i padëshiruar nga Rama.
Problemi është që me sistemin e ri elektoral, fuqia e Erjon Veliajt në Tiranë do të ishte akoma më e madhe. Sytë e 37 kandidatëve të listës së hapur në Tiranë do të ishin nga qendra e re e gravitetit për këta dy muaj, Erjon Veliaj. Ishte ai që do të vendoste se kush do të zgjidhej dhe kush do të digjej nga kandidatët, duke ushqyer potencialisht karrierën e tij, pas përfundimit të mandatit të fundit në Bashkinë e Tiranës.
Por tani që është në burg, këtë aset të vyer politik dhe financiar, që është Bashkia e Tiranës, me gravitet të padiskutueshëm elektoral, e kontrollon Edi Rama.
është Rama që do të përcaktojë se ku do të shkojë vota e elektoratit socialist, se kush do të marrë më shumë vota dhe kush do të duhet t’ia dalë me forcat e veta. Me pak fjalë, është Rama që e ka pushtetin në Tiranë dhe jo Veliaj.
Prandaj, kryeministrit, për momentin Erjon Veliaj i duhet në burg, i braktisur dhe i pafuqishëm për të nxjerrë nga lista e hapur e Tiranës besnikët e tij.
Prandaj dhe ai shkruajti me aq nerv dhe tërsëllimë kur Etjen Xhafaj doli të mbronte kryebashkiakun e arrestuar në media. “Nuk dua të dëgjoj më asnjë prononcim që cenon pavarësinë e SPAK-ut, lidhur me rastin a me rastet konkrete, me përmbajtjen e akuzave a me pretendimet e të akuzuarve! STOP! Mbështetja jonë për SPAK-un, mbetet e palëkundur”.
Mesazhi ishte gozhda e fundit në arkivolin politik të Veliajt, që nuk llogariti se me të njëjtën lehtësi që i fali një karrierë politike, mund edhe t’ia djegë atë karrierë. Prandaj sheshi përballë SPAK-ut është bosh.
Dhe mbi të gjitha, Edi Rama ka dalë edhe një herë i fituar, duke na kujtuar se në shahun e tij politik, çdo ushtar është i sakrifikueshëm. Në këtë rast, Veliaj ishte thjesht një figurë që duhej flakur tej, për të fuqizuar më tej pozicionin e mbretit./Lapsi.al
Rruga Press