Bota

Arma sekrete e Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër ushtrisë ruse

Nga Holly Ellyatt “CNBC

Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fundin e muajit shkurt, komandantët e saj ushtarakë panë se ukrainasit kishin në arsenalin e tyre edhe një “armë” shumë jo konvencionale por tejet efektive:sezonin e saj famëkeq të shirave dhe baltës.

Koha e pushtimit rus, që nisi më 24 shkurt, përkoi me atë që njihet në vend si “sezoni i rrugëve me baltë” ose “Rasputitsa” në rusisht. Është një fenomen që ndodh dy herë në vit, fillimisht në pranverë – kur zbuten ngricat e dimrit dhe kur terreni dhe rrugët e pa asfaltuara të vendit, bëhen praktikisht të pakalueshme pasi i shndërron në baltovina – dhe më pas në vjeshtë, kur mund të ketë shira të dendur.

Balta cilësohet nga ekspertët ushtarakë, si një ndër shkaqet që ka sjellë edhe ngadalësimin e përparimit të Rusisë në disa pjesë të vendit, sidomos në veri. Imazhet dhe videot që qarkullojnë në internet, tregojnë tanke, kamionë dhe mjete të tjera të blinduara ruse të bllokuara dhe të braktisura në rrugët me baltë apo fushat e Ukrainës.

Kjo ka nxitur njëfarë mosbesimi midis analistëve dhe ekspertëve ushtarakë, të cilët thonë se komandantët rusë duhet të ishin përgatitur më mirë për kushtet në terren, duke qenë në gjendje që ta shmangnin kënetën e shkaktuar nga terreni me baltën pranverore të Ukrainës.

Kjo është një dukuri e njohur edhe në librat e historisë:pushtimi i Rusisë nga Napoleon Bonapartit në vitin 1812 u ngadalësua nga balta, ashtu si ushtritë e Adolf Hitlerit, të cilat pushtuan Bashkimin Sovjetik në vitin 1941, hasën të njëjtat probleme logjistike të shkaktuara nga balta dhe terreni i ashpër.

Me to janë përballur javët e fundit edhe trupat ruse. Ekspertët thonë se ushtria ruse duhet ta dinte më mirë se me çfarë kushtesh do të përballeshin forcat e tyre në Ukrainë. “Balta ukrainase dhe ajo që në rusisht njihet si ‘rasputitsa’ është periudha pas dimrit, ku shumë rrugë bëhen të pakalueshme … Kjo dihet prej qindra vjetësh. Edhe Napoleoni e ndesh me këtë problem.

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Ky është një tipar taktik shumë i dobishëm për ukrainasit, sidomos në veri, ku territori është shumë më i pyllëzuar“- shprehet për CNBC Maximilian Hess, bashkëpunëtor në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme. Në fillim besohej gjerësisht se Rusia do të arrinte një fitore të shpejtë në Ukrainë.

Por ushtria e saj u përball me një rezistencë të fortë nga forcat ukrainase, të cilat aleatët perëndimorë i kanë ndihmuar me shumë armatime moderne. Përpara pushtimit, Rusia kishte grumbulluar mbi 100.000 trupa përgjatë kufirit të saj me Ukrainën, dhe kishte kryer stërvitje ushtarake me aleatin e saj Bjellorusinë, që ndodhet në veri të Ukrainës.

Por Moska kishte këmbëngulur vazhdimisht se nuk kishte plane të pushtonte fqinjin e saj.

Pavarësisht stërvitjeve ushtarake përpara pushtimit, analistët ushtarakë thanë se faza e parë e luftës – nga e cila Rusia ka fituar terren në jug dhe në lindje të vendit, por nuk ka arritur të përparojë shumë në veri, dhe teksa forcat e saj janë tërhequr prej andej duke u përqendruar në Ukrainën Lindore – tregoi një mungesë të planifikimit, gatishmërisë dhe aftësive taktike nga komandës ushtarake dhe ushtarët rusë, shumë prej të cilëve janë rekrutuar vetëm kohët  fundit.

Hess thekson se vetëm paaftësia e Rusisë për t’u përballur me sezonin e baltës në Ukrainë “tregon problemet reale të profesionalizmit të ushtrisë së saj”:”Kjo paaftësi ngre për mua pikëpyetje reale. Rusët janë stërvitur dhe praktikuar prej kohësh për këtë pushtim. E megjithatë ata nuk kanë pasur koordinimin e mjaftueshëm për lëvizjen e njësive të blinduara, duke përballuar si duhet baltën, që njihet si problem nga ushtritë prej të paktën 300 vitet e fundit”.

Lexo më shumë  Rubla ruse arrin nivelin më të ulët në 32 muaj kundrejt dollarit

Shërbimet sekrete amerikane, thonë se Rusia donte që ta niste pushtimin e Ukrainën në fillim të këtij viti, por e shtyu ofensivën e saj me urdhër të Kinës, në mënyrë që të mos linte në hije Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat përfunduan më 20 shkurt.

Sam Cranny-Evansi, analist në institutin kërkimor të mbrojtjes në Britaninë e Madh, thotë për CNBC-në se shumica e automjeteve ushtarake ruse, duhej të ishin në gjendje të përballeshin me baltën në Ukrainë.

Por problemet lindën për shkak se shumë mjete përdorën të njëjtin kalim, një problem shumë i parashikueshëm për çdo komandant ushtarak që ka njohuritë bazë mbi “terramekanikën” ose “ndërveprimin e tokës me automjetet që udhëtojnë jashtë rrugëve të asfaltuara”.

“Shumica e mjeteve të ushtrisë ruse, do të lëviznin pa shumë problem nëpër baltë, me kushtin që të mos ndiqnin vazhdimisht të njëjtën rrugë. Por unë mendoj se ka edhe faktorë të tjerë që e kanë kufizuar manovrën e tyre. Kështu përfshihet mungesa e mbështetjes tek hekurudhat dhe rrugët për logjistikën e tyre”- thotë Crany-Evansi.

Ai shton se madhësia e konsiderueshme gjeografike e Ukrainës, përbën një sfidë shtesë për makinerinë luftarake të Rusisë, sidomos për njësitë që janë më larg frontit aktual, si ato në Ukrainën Veriore. Shumë nga këto njësi kanë bërë një tërheqje taktike, për t’u fokusuar në rajonet lindore dhe jugore, ku po zhvillohet faza e dytë e luftës në Donbas dhe përgjatë Detit të Zi. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *