Argumenti kundër sanksioneve ekonomike
Është shumë e dyshimtë nëse përdorimi në rritje i sanksioneve ekonomike në politikën ndërkombëtare është i drejtë, i përshtatshëm ose efikas. Dhe kur përkrahësit e këtyre masave ndëshkuese pohojnë se tregtia është e mundur vetëm midis njerëzve të civilizuar, ata shpërfillin efektin civilizues të vetë tregtisë.
Më herët këtë muaj, Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, e akuzoi Rusinë se po përdor energjinë si armë politike. Në përgjigje, Kremlini u shpreh se sanksionet amerikane kërcënonin të përkeqësonin mungesën e ekuilibrave në tregun evropian të energjisë. Kjo përplasje thekson përdorimin ose kërcënimin në rritje – dhe gjithnjë e më problematik – të sanksioneve ekonomike në politikën ndërkombëtare.
Si mjet presioni ndaj një shteti, sanksionet ekonomike nuk arrijnë të jenë një luftë, por janë më afër asaj sesa është diplomacia. Megjithatë, justifikimet ligjore, politike dhe morale për masa të tilla rrallë sfidohen.
Shtetet kanë përdorur gjithmonë ekonominë si një mjet gjeopolitik. Shekulli i XIX, kur ekonomia ndërkombëtare u nda kryesisht nga politika ndërkombëtare, ishte një përjashtim i shkurtër nga ky rregull: Rusia madje ngriti një kredi në tregun e Londrës gjatë Luftës së Krimesë. Por në vitet 1920, Lidhja e Kombeve ringjalli zyrtarisht përdorimin e armëve ekonomike kundër shteteve që shkelnin rregullat. Dhe Kapitulli 7 i Kartës së Kombeve të Bashkuara lejon Këshillin e Sigurimit të vendosë sanksione ekonomike kundër shteteve që kërcënojnë ose shkelin paqen botërore.
Regjimi i sanksioneve ndërkombëtare ka kaluar nëpër disa faza të mbivendosura gjatë shekullit të kaluar. Në fillim, sanksionet kishin për qëllim të ishin një përgjigje ndaj qëllimit ose veprimit të hapur të një shteti, të tillë si një ngritje ushtarake ose një pushtim aktual i një shteti tjetër. Kështu Lidhja e Kombeve vendosi sanksione ekonomike ndaj Italisë kur forcat e Musolinit pushtuan Abisininë në 1935.
Në fazën tjetër, shqetësimet humanitare u pranuan si bazë për sanksione. Për shembull, shtypja që një qeveri bën ndaj grupeve brenda një shteti mund të kërcënojë të shkaktojë efekte “në palë të treta”, siç është kriza e refugjatëve. Kjo ishte baza ligjore për sanksionet ekonomike të OKB-së kundër Rodezisë në vitet 1970 dhe Afrikës së Jugut në vitet 1980.
Pas kësaj, disa e konsideruan “ndryshimin e regjimit” në vetvete si një qëllim legjitim për të vendosur sanksione. Siç argumentoi kryeministri i atëhershëm britanik Tony Blair në një fjalim të vitit 1999 në Çikago, “përhapja e vlerave tona na bën më të sigurt”. Besimi themelor këtu ishte se demokracitë nuk fillojnë luftëra; vetëm diktaturat e bëjnë këtë. Largimi i presidentit irakian Sadam Husein nga pushteti ishte kështu qëllimi i padeklaruar i mbajtjes së sanksioneve ekonomike ndaj Irakut pas Luftës së Gjirit të vitit 1991.
Zhvillimi më i rëndësishëm i kohëve të fundit në regjimin e sanksioneve ndërkombëtare ka qenë sanksionimi i individëve dhe subjekteve “të caktuar posaçërisht”. Masa të tilla të synuara me kujdes, argumentojnë përkrahësit e tyre, kufizojnë dënimin për autorët e pastrimit të parave dhe praktikave të tjera të dyshimta, dhe kështu shmangin dëmtimin e pjesës tjetër të popullsisë së një vendi. Por ato bien jashtë kompetencave të OKB-së dhe për këtë arsye imponohen në mënyrë të njëanshme nga vende ose grupe vendesh ekonomikisht të fuqishme. Nuk është për t’u habitur që Shtetet e Bashkuara kanë kryesuar në këtë formë sanksionimi. Por Bashkimi Evropian ka ndjekur shembullin e Amerikës.
Më të njohurit nga këto ndëshkime të individualizuara janë sanksionet Magnitsky, që mbajnë emrin e avokatit rus Sergei Magnitsky, i cili akuzoi zyrtarët rusë të taksave dhe zbatimit të ligjit për mashtrim të Hermitage Capital Management, një firmë investimi që ai po këshillonte, me 230 milionë dollarë. Magnitsky u arrestua dhe u akuzua për evazion fiskal dhe vdiq në burgun e Moskës Matrosskaya Tishina në vitin 2009, pasi dyshohet se u rrah nga policia.
SHBA-ja miratoi Aktin Magnitsky në 2012 me synimin për të ndëshkuar personat përgjegjës. Dhe Global Magnistky Human Rights Accountability Act i vitit 2016 “autorizon presidentin të vendosë sanksione ekonomike dhe të mohojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara për çdo person të huaj të identifikuar si i përfshirë në abuzim me të drejtat e njeriut ose korrupsion”. Fuqitë e tjera perëndimore – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar (2017-2018), Kanadanë (2017) dhe BE-në (2020) – që atëherë kanë miratuar legjislacionin Magnitsky, dhe qindra individë dhe firma në të gjithë botën aktualisht po sanksionohen sipas këtyre ligjeve. Më vete, Parlamenti Evropian kohët e fundit bëri thirrje për sanksione kundër Hungarisë dhe Polonisë për shkeljen e të drejtave LGBTQ+.
Por a janë këto sanksione të drejta, të përshtatshme dhe efikase? Sa i përket drejtësisë, rritja e kohëve të fundit e sanksioneve të synuara bazohet në ligjin e brendshëm, jo ndërkombëtar, dhe pasqyron normat e dakorduara të vetëm një segmenti të komunitetit ndërkombëtar. Për më tepër, dënime të tilla shpesh vendosen ndaj individëve dhe subjekteve me shpjegimet më të pakta, dhe pa u gjykuar ose dënuar për ndonjë vepër penale. Prandaj, për shumë njerëz, këto sanksione thjesht duken si një shprehje e pushtetit.
Përshtatshmëria e tyre është gjithashtu e dyshimtë. Sanksionet ex parte parashikojnë që të shkaktojnë luftëra sanksionuese nëse nuk kufizohen në vende që nuk mund të hakmerren. Në të gjitha rastet, ato çojnë në shtim të sanksioneve dhe në këtë mënyrë masa të zgjeruara mbikëqyrjeje dhe zbatimi ndërkombëtar.
Pas sanksionimit që Perëndimi i bëri zyrtarëve rusë për abuzime të pretenduara të të drejtave të njeriut në Çeçeni, SHBA-ja, Kanadaja, BE dhe Mbretëria e Bashkuar vendosën ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit zyrtarëve kinezë të përfshirë në keqtrajtimin e ujgurëve në Xinjiang. Rusia dhe Kina janë bashkuar në dënimin e Perëndimit për fillimin e një “lufte të ftohtë” të re, dhe Kina në veçanti ka shumë municione me të cilat do të hakmerret. A duam vërtet që bota të ndahet në blloqe ekonomike sanksionuesish dhe hakmarrësish?
Çështja e efikasitetit të sanksioneve ekonomike është ndoshta më e vështira për t’u përgjigjur sepse nuk ka një masë të dakorduar suksesi. Shumë supozojnë se ato janë një mënyrë relativisht pa kosto për të sjellë regjime moralisht të dobishme ose ndryshime në sjelljen e një regjimi. Kjo mund të jetë e vërtetë në disa raste. Por dëshmitë dërrmuese sugjerojnë se sanksionet ekonomike kanë efekte të tilla vetëm në lidhje me ndërhyrjen ushtarake – që do të thotë se ato janë zakonisht shoqëruese të luftës sesa një alternativë ndaj saj. Pra, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në lidhje me vendosjen e sanksioneve për arsye morale.
Në fund të fundit, ekziston një model tjetër paqësor për gjeneruar një sjellje më të mirë në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar. Montesquieu, Adam Smith, Richard Cobden dhe shumë të tjerë argumentuan se shkëmbimi i mallrave, njerëzve dhe ideve ka efekte paqësore. Sanksionet funksionojnë drejtpërdrejt kundër kësaj. Kur përkrahësit e këtyre masave ndëshkuese pohojnë se tregtia është e mundur vetëm midis njerëzve të civilizuar, ata shpërfillin efektin civilizues të vetë tregtisë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Case Against Economic Sanctions/reporter/