KryesoreLajme

Aplikimet për kredi nga bizneset, bankat rrisin shkallën e miratimit

Bankat rritën shkallën e miratimit të aplikimeve për kredi nga bizneset në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas informacionit që bankat kanë raportuar në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues, të kryer nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive të refuzuara ndaj totalit të aplikimeve për kredi nga ana e bizneseve u raportua në rënie në tremujorin e tretë të vitit.

Rënia e shkallës së refuzimeve për bizneset u nxit nga historiku i marrëdhënieve të biznesit me bankën, statusi i kredive aktuale të bizneseve, si edhe nga pasqyrat financiare të tyre. Kjo politikë reflektoi edhe lehtësimin e standardeve të kreditimit për bizneset, që, sipas bankave, vijuan lehtësimin në tremujorin e tretë të vitit 2021. Standarde të lehtësuara kreditimi u raportuan në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit.

Po ashtu, standardet u lehtësuan në të dyja llojet e përdorimit të kredisë: atë me qëllim financimin e investimeve dhe atë për mbulimin e nevojave për likuiditet. Lehtësimi i standardeve të kreditimit për bizneset u nxit nga perceptimi i bankave për rrezik më të ulët për situatën aktuale ekonomike e perspektivën e saj, si edhe për gjendjen financiare të bizneseve. Po ashtu, në lehtësimin e standardeve të kreditimit ndikoi dhe perceptimi mbi përmirësimin e situatës ekonomike në vendet partnere tregtare. Për tremujorin e fundit të vitit 2021, standardet e kreditimit për bizneset priten të lehtësohen më tej. Bankat presin të aplikojnë standarde më të lehtësuara kreditimi mbi kreditë e dhëna për qëllime investimi, si edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Po ashtu, standardet e kreditimit priten të lehtësohen më tej në të dyja segmentet e madhësisë së biznesit: atë të vogël e të mesëm (SME-të), si edhe të biznesit të madh.

Lexo më shumë  Agjencitë botërore e quajnë Vuçiqin president populist

Edhe kërkesa për kredi e bizneseve u perceptua më e lartë në tremujorin e tretë, e ndikuar sidomos nga biznesi i madh. Në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë, kërkesa u perceptua më e lartë si për investime, ashtu dhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Shtimi i kërkesës për kredi nga bizneset në tremujorin e tretë, sipas gjykimit të bankave, u ndikua nga nevojat më të larta për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, financimin e investimeve dhe rifinancimin e borxheve ekzistuese. Po ashtu, edhe përmirësimi i kushteve të financimit ndikoi në shtimin e kërkesës për kredi nga bizneset në këtë tremujor. Bankat gjykojnë se në tremujorin e fundit të vitit kërkesa për kredi e bizneseve do jetë sërish e lartë, si nga bizneset e vogla e të mesme, ashtu edhe nga bizneset e mëdha.

Monitor

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *