“Ankth, stres dhe pagjumësi”, OBSH paralajmëron për pasojat psikologjike të ndryshimeve klimatike
Ndryshimet klimatike nuk përbëjnë kërcënim vetëm për mjedisin dhe shëndetin fizik, por ndikojnë gjithnjë e më shumë edhe në shëndetin mendor të popullatës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), edhe shqetësimi për të ardhmen e planetit, pa përjetuar drejtpërdrejt fatkeqësi natyrore, mund të shkaktojë ankth, stres, probleme me gjumin dhe vështirësi në jetën e përditshme, veçanërisht te të rinjtë.
Në një raport të ri, OBSH ngre shqetësimin për këto pasoja shpesh të nënvlerësuara dhe kërkon që shëndeti mendor të përfshihet në politikat për përballimin e ndryshimeve klimatike. Një studim i kryer në Finlandë, Francë, Portugali dhe Mbretërinë e Bashkuar tregoi se deri në 65% e të rinjve shprehen të shqetësuar për ndryshimet klimatike, ndërsa deri në 37% thonë se ky shqetësim ndikon negativisht në funksionimin e tyre të përditshëm. Ankthi, ndjenja e fajit dhe zemërimi janë ndër emocionet më të shpeshta.
Raporti thekson se temperaturat e larta mund të prishin gjumin dhe të përkeqësojnë problemet ekzistuese të shëndetit mendor, ndërsa përjetimi i drejtpërdrejtë i përmbytjeve dhe zjarreve mund të shkaktojë ankth, depresion dhe stres post-traumatik.
OBSH ka shqyrtuar gjithashtu 20 nisma në 15 vende evropiane, ku mbështetja psikologjike, aktivitetet në komunitet dhe grupet e ndihmës mes të rinjve kanë ndihmuar në përballimin e këtyre shqetësimeve.
Për këtë arsye, organizata kërkon që shërbimet e shëndetit mendor të përfshihen në planet e emergjencave dhe politikat klimatike, duke theksuar se mbrojtja e shëndetit të njerëzve duhet të ecë paralelisht me masat për mbrojtjen e mjedisit.
Rruga Press

