Anketa/Pagat e ulëta rrisin korrupsionin në polici
Pagat e ulëta janë burimi më i madh i korrupsionit në disa sektorë të administratës publike, por kjo është më e dukshme tek punonjësit e policisë dhe shërbimet e shëndetit publik.
Këto profesione janë të lidhura fort me mbrojtjen e jetës, e për këtë arsye përballen shpesh me presion, por ndërkohë mjeket dhe policët përfitojnë rrogat më të ulëta në raport me pjesë të tjera të shërbimeve publike.
Një studim i publikuar së fundmi nga instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ka gjetur se 60 për qind e punonjësve në polici mendojnë më 2020 se, pagat e ulëta janë shkaktar kryesor i korrupsionit në radhët e tyre. Përveç pagave të ulëta punonjësit e policisë kanë raportuar se, nuk zbatohen VKM-të për pagesat e orëve shtesë dhe ato të vjetërsisë në punë.
Koha normale e punës për punonjësit e Policisë së Shtetit është 40 orë në javë dhe nuk duhet të kalojë 174 orë në muaj. Por sipas Këshillit të Ministrave, punonjësi i polici që shërben natën dhe në ditët e pushimit javor dhe të festave përfiton shtesë mbi pagën.
Punonjësit që punojnë jashtë orarit të punës mund të kërkojnë pushim të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer, plus një shtesë page prej jo më pak se 25% e pagës mesatare. Kjo përqindje arrin në 50% në rastin e punës së kryer gjatë turneve të natës ose festave kombëtare. Të dhënat për punën shtesë janë të kufizuara dhe listat mund të jenë të paparashikueshme, duke krijuar kështu stres të panevojshëm tek punonjësit e policisë.
Gjithsesi, punonjësit e policisë raportojnë se hasin ende probleme në marrjen e kompensimit për orët shtesë, turnet e natës dhe rimbursimin e shpenzimeve për dietat ditore.
Shtesat për punën jashtë orarit për punonjësit e policisë nuk paguhen nëse tejkalojnë normën mbi 200 orë në vit, por kompensohen me leje.
Gjithashtu, problematikë ngelen edhe pagesat për vjetërsinë në punë, të cilat nuk janë bërë që prej vitit 2007.
Një tjetër sfidë që hasin punonjësit e policisë që transferohen nga vendbanimet e tyre për shkak të shërbimeve është rimbursimi i qirasë së banesës dhe mos marrja e shpërblimit për shkak të distancës.
Përsa i përket perceptimeve të zyrtarëve të policisë, studimi konkludon se midis shumë faktorëve që perceptohen se ndikojnë në predispozicionin e korrupsionit, pagat e ulëta dhe kodi etik i policisë perceptohen të kenë ndikimin më të lartë, duke vijuar me përgatitjen e dobët profesionale dhe mungesën e trajnimit në punë si dhe kulturën organizative të punës.