Anketa/ 85% e qytetarëve në Shqipëri besojnë se burimet shtetërore keqpërdoren për qëllime zgjedhore
Një anketim i organizatës “Qëndresa Qytetare” nxori në pah se një përqindje e madhe qytetarëve besojnë se burimet shtetërore keqpërdoren për qëllime zgjedhore, duke ndikuar kështu edhe në rezultatin final të zgjedhjeve.
BIRN
Një anketim i realizuar nga organizata “Qëndresa Qytetare” me 720 qytetarë në gjashtë bashki të vendit nxori në pah perceptimin mbi përdormin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale nga zyrtarët shtetërorë shqiptarë.
“Nga analizimi i të dhënave rezulton se një shumicë dërrmuese prej 78.1% e qytetarëve të anketuar pohojnë se zyrtarët publikë përdorin burimet shtetërore për qëllime elektorale”, thuhet në raport.
Përdorimi i burimeve publike për mbështetje politike gjatë fushatave elektorale ndalohet me ligj nga Neni 88 i Kodit Zgjedhor të Shqipërisë, por zbatimi i këtij ligji mbetet sfidë me vete.
Keqpërdormimi i aseteve shtetërore në zgjedhje gjithashtu evidentohet në çdo raport të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, por rezultatet tregojnë se vetë zyrtarët nuk po marrin masa për ta ndryshuar këtë fenomen.
Nga ana tjetër, qytetarët e anketuar mendojnë se ky keqpërdorim ka efektet të drejtpërdrejta në rezultatet e votimeve.
“84.5% e qytetarëve të anketuar vlerësojnë se përdorimi i aseteve shtetërore në zgjedhje ka efekt vendimtar në rezultatin zgjedhor,” thekson raporti.
Shumica e të anketuarve, rreth 65.9%, e konsiderojnë këtë përdorim si të padrejtë dhe të keqpërdorur, teksa vetëm 26% e të intervistuarve e shohin atë si normale dhe të drejtë.
Disa prej formave më të përhapura të përdorimit të burimeve shtetërore janë ato të angazhimit të nëpunësve civilë në fushata zgjedhore, përdorimin e fondeve publike për aktivitete elektorale, si edhe përdorimi i objekteve dhe infrastrukturës publike.
“Nga analizimi i të dhënave, rezulton se godinat e shkollave dhe universiteteve përdoren për takime elektorale dhe se presioni mbi administratën është i madh për të marrë pjesë në mitingje dhe votime”, citon studimi i Qëndresës Qytetare.
Raporti më tej evidenton se përdorimi i objekteve publike, si ndërtesat apo mjetet e institucioneve për fushata elektorale është raportuar nga 54.3% e qytetarëve të anketuar, ndërsa 44.9% kanë vërejtur përdorimin e infrastrukturës publike në funksion të fushatave elektorale, si nga partia që ka pushtetin qendror dhe nga forca politike që ka pushtetin lokal. Gjithashtu 82.8% e të intervistuarve raportojnë se kanë vërejtur ndryshime në sjellje dhe në cilësinë e shërbimeve gjatë periudhës zgjedhore.
Rruga Press