Andi Bushati: Unë në prehërin e Enverit, Veliaj në prehërin e Ndragetës
Nga Andi Bushati
“E rëndësishme nuk është se në prehërin e kujt qëndron kur je fëmijë, por mes këmbëve të kujt zhytesh kur je në moshë madhore”
Aq shumë e paska shqetësuar Erion Veliajn një statusi im me dhjetë fjalë ku denoncoj mënyrën se si ka kapur për fyti mediat që ndërpresin transmetimet sa herë del në rrugë ai, atyre që u vendos titujt dhe fotot me lajme të gatshme nga bashkia, sa paska botuar sot një foto timen fëmijë me Enver Hoxhën. Pse? Gjoja për të më kompleksuar? Për të treguar se kam lindur në bllok?
Po qe ky qëllimi mund ti ofroj me dëshirë edhe dy tre të tjera me xhaxhin Enver që më kanë mbetur në arkivë. Sepse unë se kam fshehur kurrë, as biografinë as prejardhjen time pasi kam qenë i bindur se për njeriun nuk ka rëndësi vendi ku lind, po profili, karakteri dhe ajo që ndërton vetë gjatë jetës.
Edhe mund tu isha vjedhur atyre fotove…po nuk di ta bëj.
Pasi nuk e kam mësuar ende zanatin e atij që është perfeksionuar për të fshehur një krim. I përbuz, i neveris ata, që kur pozojnë në Sheshin Skënderbej, i retushojnë kullat në sfond, se e dinë prejardhjen e parave me të cilat janë ndërtuar.
Qesh e tallem me të gjorët që kur shkrepin foto tek pista e re e atletikës, e porosisin fotografin mos i nxjerrë nga ana e betonit të katëve pa leje që i bën hije.
Natyrisht i vjen turp për atë që ka përfunduar. E di se i ka dalë llafi që ato përgjimet e Ndragetës nuk janë pa bazë dhe se sipas raporteve ndërkombëtare 60% e lejeve të ndërtimit janë me para të pista, ku vetëm gjatë viteve të mandatit të parë Veliaj, janë pastruar 1.6 miliardë euro.
Po kujt ti flasësh për repekt për veten, apo për raport me të vërtetën, një njeriu që la Griseldën me barrë???
Nëse Erion Veliaj do të ishte një makartist që qëmton biografitë e familjeve të ish komunistëve dhe i ndërton raportet me ta në bazë të këtij kriteri edhe mund ti’a kuptoja shqetësimin ndaj meje. Por ai s’ka as cipë dhe as parime. Se po të kishte pasur këto shqetësime nuk do të kishte pranuar të qe ulur në të njëjtën qeveri me fëmijë të anëtarëve të Byrosë politike. Do kish postuar në rrjete sociale atë kartolinën e nipit Edvin për dajë Spiron apo do kishte dencocuar firmën e babait Kristaq, për Havzi Nelën. Nuk është çudi që edhe ti përdori të gjitha këto një ditë atëherë kur të përgatisë goditjen që po planifikon prej kohësh, thikën pas shpinë për Edi Ramën. Po as atëherë nuk kanë për ta besuar, do i thonë sërish “zdroms” me dy fytyra, që kujtohet të përdorë akuzat me biografi që i ka telendisur më parë Sali Berisha. Ngjanjnë në këtë pikë apo jo?
Sepse e përsëris, e rëndësishme nuk është se në prehërin e kujt qëndron kur je fëmijë, por mes këmbëve të kujt zhytesh kur je në moshë madhore dhe me pushtet politik.
Problemi im as me Edi Ramën, as me këtë Uriahipin e tij, nuk është prejardhja e djeshme familjare, por grabitja, kriminalizimi, zvogëlimi që po i bëjnë Shqipërisë sot.
Prandaj Erion Veliaj le të vazhdojë të merret me biografinë time prej armiku klase, unë me sa forcë kam do përpiqem të denoncoj atë që i nxori atij gjumin dhe që shkaktoi këtë debat: lejet e ndërtimit, paratë okulte, favoret në kuriz të qytetarëve që i kanë degraduar pjesën më të madhe të mediave deri në atë pikë, sa të kthehen në servise të neveritshme të një fallciteti që nuk mund të ekzistojë i pa retushuar.
Rruga Press