Analiza e tre ish-ambasadorëve amerikanë: Putini po pushton më shumë se Ukrainën
Fusha e re e betejës është online, dhe në lojë është sovraniteti demokratik.
Analiza e mëposhtme mban firmën e tre ish-ambasadorëve amerikanë në Rumani, Mark Gitenstein (2009–2012), Adrian Zuckerman (2019–2021) dhe Jim Rosapepe (1998–2001), të cilët i njohin nga afër sfidat dhe arritjet e këtij vendi në rrugën drejt demokracisë. Duke folur me autoritetin e përvojës diplomatike në Rumani, ata zbulojnë një tjetër betejë të papritur në vitin 2024: pushtimin e heshtur të vendit nga Vladimir Putin, jo me tanke, por me propagandë dhe manipulim dixhital. Në këtë analizë të sjellë në shqip nga Lapsi.al, ata tregojnë se si demokracia mund të sulmohet pa pasur nevojë edhe për një armë të vetme, dhe si reagimi i qytetarëve rumunë tregoi se e vërteta dhe guximi mund të fitojnë edhe në këtë epokë të re lufte hibride.
Mark Gitenstein, Adrian Zuckerman dhe Jim Rosapepe për Politico:
Të gjithë e dimë që Presidenti rus Vladimir Putin pushtoi Ukrainën me tanke në vitin 2022. Por shumë nuk e dinë se në vitin 2024, ai pushtoi Rumaninë, me cicërima (postime ne rrejtin X, ish-Twitter).
Në të dy rastet ai dështoi, për tani. Por agresioni i Putin-it është i përqendruar ndaj SHBA-së dhe të gjithë aleatëve të saj. Ai po shpenzon miliona dollarë, duke bombarduar votuesit europianë me rrjete sociale manipuluese dhe fushata dezinformuese në shkallë të gjerë. Është një lloj i ri lufte ndaj demokracisë që eliminon nevojën për të shtyrë tanke drejt kryeqyteteve.
Plani në zhvillim i Putin-it është rezultat i fushatës së tij të dështuar ushtarake për të kapur Kievin dhe për të mbytur demokracinë ukrainase. Ai hasi në qëndresën e pathyeshme të Ukrainës, dhe si rezultat, filloi të zbatojë një strategji të vjetër ruse (dhe sovjetike) për të shkatërruar demokracitë perëndimore nga brenda duke mbështetur dhe kultivuar kandidatë politikë pro-Putin. Dhe TikTok, Telegram dhe kanale të tjera të rrjeteve sociale tani janë armë në këtë lloj të ri lufte.
Asnjëherë larg rrënjëve të tij në KGB, presidenti rus e kupton që opinioni publik mund të manipulohet dhe formësohet nga përfaqësues politikë dhe propagandë që i detyrohen njeriut të fortë të Rusisë. Mjafton të shqyrtohen zgjedhjet e fundit në Rumani për të konfirmuar këtë të vërtetë të errët.
Në vitin 2024, Putin shpenzoi miliona për të zgjedhur një president pro-rus në Rumani. Metoda e tij: të infiltojë zgjedhjet, të mbështesë kandidatë me prirje autoritare dhe të manipulojë platformat digjitale për të përkulur perceptimin publik.
Kështu, udhëheqësi rus ngriti kandidatin Călin Georgescu nga anonimiteti, dhe brenda vetëm dy javësh, Georgescu kishte kapur 21 për qind të votës, duke lënë të habitur një fushë të ndarë prej 15 kandidatësh.
Duke shkelur logjikën e shëndoshë, realitetin, si dhe ligjin rumun, Georgescu pretendoi se ai nuk kishte mbledhur kontribute për fushatë dhe as nuk kishte patur shpenzime fushate. Në vend të këtyre, ai kishte një përkrahës keqdashës, Putinin.
Fushata rrënqethëse në rrjetet sociale përbëhej nga “dezinformim” dhe një përpjekje shumë-milionë dollarëshe në stilin leninist për të shkatërruar demokracinë në Rumani. Dizajni i përpjekjes përfshinte gjithashtu minimin e interesave të sigurisë së SHBA-së, NATO-s dhe BE-së. Ky pushtim i fshehtë i procesit zgjedhor të Rumanisë u zbulua në kohë nga shërbimet e inteligjencës rumune dhe perëndimore.
Duke cituar shkelje serioze të ligjit zgjedhor dhe ndërhyrje të huaj, gjykata kushtetuese e vendit anuloi raundin e parë të zgjedhjeve dhe urdhëroi një përsëritje.
Kur u mbajt raundi i dytë, pjesëmarrja e votuesve u rrit mbi mesataren prej 51 për qind në gati 65 për qind, ndërsa rumunët iu përgjigjën krizës me qartësi dhe guxim.
Ata e refuzuan kandidatin e Putin-it dhe zgjodhën rrugën demokratike, pro-NATO-s, me një diferencë vendimtare 54 për qind me 46 për qind.
Së bashku me një grup bipartizan prej shtatë ish-ambasadorësh amerikanë në Rumani, ne i kishim bërë thirrje publikisht rumunëve që të refuzonin kandidatin e Putin-it. Nuk mund të qëndronim në heshtje dhe të lejonim që propaganda haptazi e rreme e drejtuar nga Rusia të mbetej e pakundërshtuar. “Ne pamë me sytë tanë ngjitjen e suksesshme të Rumanisë nga diktatura e imponuar nga Rusia drejt lirisë, dhe integrimin me pjesën tjetër të Europës në BE dhe aleancën me SHBA-në përmes NATO-s,” shkruam ne në një letër të hapur.
Ne e kuptuam mundësinë për ta paraqitur saktë zgjedhjen historike që rumunët do të duhej të bënin në kutitë e votimit, dhe e bëmë të qartë rëndësinë e saj: “Nën Putin-in, Rusia është sërish në marshim. Së pari pushtoi Ukrainën. A do të jetë Rumania shënjestra e radhës ashtu siç ishte në kohën e Stalinit?… Rumunët përballen me një zgjedhje të qartë historike: dominim nga Rusia apo të ardhmen tuaj të lidhur me Amerikën në NATO.”
Ndërkohë që përpjekjet e Putin-it në Rumani përfundimisht dështuan mjerueshëm, dëmi real mund të ishte bërë. Për fat, institucionet demokratike të vendit dhe zërat e qytetarëve refuzuan të tremben nga taktikat më të fundit të tij. Dhe tani ne i inkurajojmë të tjerët që të ngrejnë zërin për të kundërshtuar përpjekjet e Putin-it për të prerë kokën e demokracisë përmes kutive të votimit.
Rumunët me të drejtë morën përgjegjësinë për të ardhmen e tyre, dhe zgjodhën lirinë dhe mirëqenien në vend të putinizmit. Pas fitores së Nicusor Dan në garën presidenciale, presidenti amerikan Donald Trump i siguroi rumunët se ai do të “forcojë lidhjet tona me Rumaninë, do të mbështesë partneritetin tonë ushtarak, dhe do të promovojë e mbrojë interesat ekonomike dhe të sigurisë të Amerikës jashtë vendit.”
Fatkeqësisht shumë njerëz, që duhet të dinë më mirë, ende po afrohen me Putin-in, duke mbështetur kandidatët e tij pro-rusë dhe duke minuar sigurinë e SHBA-së dhe të aleatëve të tjerë demokratikë. Influenceri i përkrahur nga Elon Musk, Mario Nawfal ishte në Moskë në maj, ndërsa babai i miliarderit të teknologjisë Elon Musk dhe komentuesit e diskutueshëm të krahut të djathtë amerikan Jackson Hinkle dhe Alex Jones morën pjesë në forumin Future 2050 në Moskë në qershor. Në forum folën shumë aleatë të Putin-it: filozofi i krahut të djathtë rus Alexander Dugin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov dhe ish-presidenti Dmitry Medvedev.
Beteja në Rumani u fitua, por lufta e Putin-it ndaj demokracisë vazhdon. Kush është i radhës në listën e tij? Zgjedhjet e kësaj vjeshte në Moldavi, Estoni, Gjeorgji, Holandë, Çeki dhe vende të tjera europiane janë të gjitha të pjekura për ndërhyrje. Por përpara se propaganda e tij të mund të zërë vend, është thelbësore të goditen shkeljet e tij ndaj ligjeve zgjedhore.
Lufta për demokracinë tani është shtrirë edhe në hapësirën kibernetike, ku taktikat e pushtimit të Putin-it duhet të pengohen, ashtu siç janë penguar edhe në fushën e betejës. Fusha e re e betejës është online, dhe në lojë është sovraniteti demokratik.
Mësimi nga Rumania është i qartë: Mbrojtja më e mirë ndaj propagandës është e vërteta, dhe guximi për ta thënë atë.
Rruga Press