Analiza e Policisë: 100-ditëshi skadoi, 13 krime mafioze të pazbardhura
Afati 100-ditor i vendosur nga kryeministri Rama për Policinë skadoi ndërsa ngjarjet kriminale vijojnë të mbeten të pazbardhura. Veç atyre për motive banale siç ishin javën e fundit plagosjet e trefishta në Tiranë, ajo që mbetet shqetësuese janë ato të krimit të organizuar.
Shumica e krimeve të rënda mbeten ende pa autor ndërsa 5 janë qarqet më problematike. Më 24 janar të këtij viti 32-vjeçari Edmir Begu sapo kishte dalë nga automjeti i tij në lagjen numër 16 në Durrës kur u qëllua për vdekje me breshëri plumbash. Në atëkohë policia nuk kishte asnjë informacion lidhur mbi motivet e ekzekutimit të të riut, i cili njihej dhe si Ilir Kuçi.
Disa ditë më pas, më 6 shkurt në Vlorë Gentian Qarri u ekzekutua teksa ecte në lagjen 29 nëntori. Edhe për këtë vrasje policia nuk zbardhi asgjë mbi atentatin ndërsa u mjaftua vetëm me automjetin e djegur në pyllin e Sodës. Një muaj më pas më 20 mars një prej emrave të skeduar nga policia u ekzekutua në mes të ditës fare pranë banesës së tij.
Edmond Koçi i njohur dhe si Mond Çekiçi u qëllua për vdekje në një atentat tipik mafioz. E vetmja pamje e autorëve ishte një automjet luksoz i vjedhur cili u dogj në Katund të Ri. Bardhok Pllanaj, një tjetër emër i njohur nga drejtësia u ekzekutua pas orës policore në prill të këtij viti. Ai kishte vizituar të ëmën në spital ndërsa autorët u siguruan që ishte vetëm dhe qëlluan ndaj mjetit të tij duke e lënë të vdekur.
Më 10 maj një tjetër ekzekutim në mes të ditës nuk u arrit të parandalohej nga policia. Bledar Bircaj lëvizte me makinën e tij në zonën e njohur si Bishti i Kalldrëmit në Vlorë kur u qëllua nga dy persona me armë automatike. Në këtë ngjarje Policia jo vetëm që nuk ka persona të dyshuar por nuk mundi të gjente as makinën e vrasësve.
Një ditë pas krimit në Vlorë më 11 maj në Elbasan u ekzekutua Everest Cakaj. Ngjarja u lidh me të shkuarën kriminale të viktimës por pa asnjë të dyshuar. E njëjta histori 10 ditë më pas po në Vlorë ku edhe ekzekutimi i 38-vjeçarit Delon Troqe mbetet pa autor.
Fillimi i muajit tjetër sërish i njëjtë. Më 1 qershor në Tepelenë një 52-vjeçar, Cajup Selimi u qëllua në derën e banesës së tij. Ngjarja në lagjen 15 shtatori mbetet e pazbardhur. Në korrik, Shkëlzen Velaj u mundua t’i largohej vrasësve të cilët e ndoqën deri në katin e pestë të pallatit ku kishte shtëpinë dhe e qëlluan për vdekje. Edhe për Gramoz Memajn, 40-vjeçarin e ekzekutuar në Ksamil ende nuk ka asnjë person të ndaluar, ndërsa vrasjet nuk ndaluan as në muajin gusht, ku Bledar Muça mbeti i vrarë në Lushnje.
Rruga Press