Analistët: Vizita e Kurtit në Greqi, me interes strategjik për Kosovën
Kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë sonte në një darkë joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së në Athinë, me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e analistë politikë thonë se është interes strategjik që Kosova të jetë pjesë e këtyre takimeve.
Ndryshe nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili nuk iu përgjigj pozitivisht ftesës të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në darkë joformale në Athinë.
Përveç Kurtit, të ftuar në këtë ngjarje janë edhe liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, të ftuar në darkën e Mitsotakis janë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, që kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Duke komentuar darkën joformale që organizohet nga kryeministri grek, profesori universitar, Dorajet Imeri, thotë për Radio Kosovën se është e interesit strategjik që Kosova të jetë pjesë e këtyre takimeve.
“Nga ky takim nuk është se do të nxirret ndonjë vendim, ose nuk është se do të prodhohet ndonjë efekt i madh politik. Por, gjithsesi vetë takimi i liderëve është i mjaftueshëm, sepse, natyrisht se do të diskutohen tema që janë kryesisht shqetësime të të gjithë akterëve, si proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe sfida të tjera të cilat gjithsesi që ndërlidhen me të ardhmen tonë të përbashkët”, tha ai.
Edhe analisti politik, Gazmir Raci, e vlerëson si gjë të mirë dhe hap të duhur pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti, në darkën joformale në Athinë.
“Është shumë me rëndësi që Kosova ti fuqizojë marrëdhëniet dypalëshe me shtetin helen. Për neve është shumë e rëndësishme edhe njohja nga Greqia. Pjesëmarrja në këtë samit jo formal është po ashtu tejet e rëndësishme për politikën e jashtme të Kosovës dhe për Qeverinë e Kosovës në veçanti. Greqia po ashtu është duke e përcjellë me vëmendje edhe dialogun Kosovë-Serbi, e natyrisht, unë besoj se shteti grek po ndihmon në afrimin e palëve e po ashtu edhe në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor”, tha Raci.
Sipas agjencisë greke të lajmeve “Amna” në darkën e sotme joformale do të diskutohet mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit dhe rolin e Greqisë si shtyllë e stabilitetit për paqe.
Ndërkohë, të martën pritet një takim dypalësh ndërmjet kryeministrit Kurti me homologun grek, Mitsotakis.
Rruga Press