Lajme

Amnezia kolektive ndaj tërmetit shkatërrimtar të Durrësit

Dy vjet pas tërmetit vdekjeprurës të 26 nëntorit 2019, banorët e Durrësit flasin gjithnjë e më pak për lëkundjen sizmike që shkaktoi dhjetëra viktima dhe la pas mijëra të pastrehë.  

Mëngjesin e 26 nëntorit 2019, apartamenti i Idajet Lekës – i cili banonte me familjen në periferi të qytetit të Durrësit, thuajse u shkërmoq nga goditja sizmike që zgjati 54 sekonda.

“Tërmeti mori me vete një pjesë të memories sime,” tha ai, ndërsa shtoi se nën rrënoja i kishin humbur albumet me foto, videot nga puna e kahershme dhe ditaret.

“Shtëpia do të rregullohet,” shtoi Idajeti, ndërsa theksoi se “megjithëse po na vonojnë, na kanë dhënë fjalën.”

Dy vjet më parë tërmeti mori 51 jetë njerëzish dhe shembi qindra shtëpi dhe apartamente, jo vetëm në Durrës, por edhe në Krujë, Shijak, Kamëz, Tiranë, Kurbin dhe Vorë.

Megjithatë, në qytetin bregdetar që u dëmtua më rëndë nga vala sizmike, banorët flasin gjithnjë e më pak për tërmetin.

Termat e tërmetit janë përmendur më së shumti në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, në të cilat gjatë dy viteve janë marrë mbi 110 vendime, që lidhen me bonusin e qirasë për familjet e pastreha nga lëkundjjet sizmike, mbi demolimin e dhjetëra shkollave dhe institucioneve të dëmtuara rëndë; për shpërblimin e familjeve me dëmtime të shkallëve të ndryshme, e kështu me radhë.

Pasojat në pjesën qendrore të qytetit janë sistemuar mirë, por në periferi, jeta për ata që vazhdojnë të jenë me qera nuk duket e lehtë.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

“Që nga ditët e tërmetit ne kemi ndërruar gjashtë herë banesën me qera,” tha për BIRN Tomorr Spahiu, i cili aktualisht banon së bashku me të birin 35-vjeçar në një shtëpi pas stadiumit “Niko Dovana”.

Shkatërrimi i shumë banesave ndryshoi edhe standartet e tregut të shit-blerjes së shtëpive apo dhënies me qera të tyre.

“Bashkë me djalin, ne kemi lëvizur nga një shtëpi në tjetrën, pasi interesat e pronarëve ndryshonin,” shpjegoi Spahiu.

“Dikush kërkonte ta shiste banesën, dikush tjetër kërkonte një pagesë më të lartë,” theksoi ai, duke shtuar se edhe bonusi i akorduar për mbulimin financiar nga bashkia e qytetit, jo pak herë ka mbërritur me vonesë.

Banorët e bllokut me 108 familje ku banonte Tomorri kanë protesuar disa herë, deri sa kanë gjetur gjuhën e përbashkët me përfaqësuesit e bashkisë. Pallati ku pret të rikthehet familja e tij, ka filluar të rindërtohet javët e fundit.

Inxhinjer nga profesioni, Tomorri tha se ka patur rast të shohë nga afër defektet e rënda të pallatit të ndërtuar para tre dekadash.

“Sipas kontratës duhet të rikthehemi në apartamentin tonë në prill të vitit 2022, por edhe sikur të shtyhet 2-3 muaj të tjerë do të jemi të kënaqur,” tha ai.

Një tjetër banor i dëmtuar, që preferon të flasë në kushtet e anonimatit, tregon përvojën e tij me kompanitë e sigurimit.

“Unë e kisha banesën time të siguruar edhe nga tërmeti, por kur fatkeqsia ndodhi agjencia më shpërbleu vetëm për ¼ e shumës për të cilën ishte hartuar kontrata mes palëve,” thotë ai, duke nënvizuar nevojën e një ligji të ri, në të cilën shteti duhet të mbështesë qytetarin.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Këto ditë qyteti është zbukuruar përsëri me flamuj për festat vendore dhe kombëtare, njëlloj si dy vjet më parë kur Luigi Maria Perotti, një dokumentarist Italian, po përfundonte xhirimet për skenarin e tij të titulluar “La via del Mare” (Rruga e detit).

“I kam kujtuar shpesh ditët para 26 nëntorit në Durrës,” tha Perotti për BIRN. “Një nga të intervistuarit e mij në Durrës më foli gjatë për monumentet e antikitetit dhe më tregoi se qyteti është rrënuar dhe ringritur disa herë pas tërmeteve të ngjashme,” shtoi ai.

Perroti tregon se dokumentarin që u shfaq disa herë në rrjetet publike televizive RAI ia dedikoi 51 të vdekurve dhe 2,000 të plagosurve nga tërmeti që tronditi Durrësin dy vite më parë.

“Kisha besim se njerëzit dhe qyteti që njoha do të punonin për ta ringritur përsëri,” tha ai.

Këto ditë një artist shqiptar u paraqit gjthashtu në Durrës me një vepër skenike që ka si temë tërmetin.

Koreografi Gjergj Prevazi, regjisor i spektaklit “Shkundem” i tha BIRN se qyteti i tij i lindjes është skena më e mirë për ta rikujtuar tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe jo vetëm.

“Ngjarje të tilla të rralla, na kujtojnë edhe fenomene të tjera për të cilat duhet ‘të shkundemi’,” tha Prevazi./birnalbania/

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *