Bota

Amnesty International kërkon që OKB të adresojë abūzimēt e kryera nga talibanët

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International i ka bërë thirrje Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së që të adresojë “abuzimet e pamëshirshme” nga Qeveria e udhëhequr nga talibanët në Afganistan. Përmes një deklarate, Amnesty kërkoi nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara që të “krijojë një mekanizëm të pavarur hetues në Afganistan sa më shpejt që të mundet, me fokus në ruajtjen e dëshmive me qëllim që të ndiqet drejtësia ndërkombëtare”.

Kjo organizatë përmendi “valë të arrestimeve” dhe “ndalime të paligjshme” të mbrojtësve të të drejtave të grave, akademikëve dhe aktivistëve.

Amnesty International po ashtu përmendi sulmet ndaj civilëve në rajonin Panjshir, ku rezistenca ushtarake ndaj talibanëve gjithmonë ka qenë e fortë, “përfshirë dhe rrëmbime dhe zhdukje me forcë” që “ende po kryhen teksa konflikti mes talibanëve dhe Frontit për Rezistencë Kombëtare po vazhdon”.

Lexo më shumë  OKB voton sot draftrezolutën për t’u dhënë palestinezëve të drejta më të mëdha përfaqësimi

Organizata tha se ka hulumtuar edhe vrasjet masive të hazarëve etnikë nga luftëtarët talibanë në provincat Gazni, Gor dhe Dajkundi dhe kryesit e këtyre veprave nuk janë përballur me drejtësi. Amnesty tha se ruajtja e të dhënave “është kyçe në ndjekjen e drejtësisë ndërkombëtare”.

Abuzimet e vazhdueshme dhe mohimi i të drejtave më bazike për gratë kanë vazhduar dhe janë rritur gjatë 18 muajve sa talibanët janë në pushtet.

Vetëm gjatë kësaj jave, zyrtarët ndërkombëtarë kanë shprehur zemërimin e tyre me refuzimin e talibanëve që të lejojnë gratë dhe vajzat të vijojnë mësimin në shkolla dhe universitete.

Lexo më shumë  OKB-ja thotë se në Gaza ende nuk kanë hyrë ndihmat

“Është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndjekë deklaratat e tij të përsëritura publike me veprime konkrete”, tha sekretarja e Përgjithshme e Amnesty, Agnes Callamard.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë shpejt dhe të krijojë një mekanizëm për gjetjen dhe ruajtjen e provave dhe të sigurojë hetime të pavarura në mënyrë që të mund të ketë ndjekje penale”, shtoi ajo.

Këshilli për të Drejta të Njeriut i OKB-së, që ka selinë në Gjenevë, është organizata e vetme ndërqeveritare në botë për të drejtat e njeriut, por nuk ka fuqi detyruese ndaj shteteve anëtare të OKB-së./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *