Bota

Amerikanët, imunë ndaj Omicronit

Vala Omicron që sulmoi Shtetet e Bashkuara këtë dimër e forcoi atë duke lënë mbrojtje të mjaftueshme kundër koronavirusit, saqë nëse paraqitet një variant i ri ka të ngjarë të shkaktojë më pak përçarje dramatike të shoqërisë.

Miliona sisteme imunitare të amerikanëve individualë tani e njohin virusin dhe janë të përgatitur ta luftojnë atë nëse hasin në Omicron, apo edhe në ndonjë variant tjetër.

Rreth gjysma e amerikanëve kanë marrë vaksina përforcuese, derisa infeksione ka pasur deri te 80 milionë raste të konfirmuara në përgjithësi, numër që nuk është raportuar kurrë më parë. Një model me ndikim ka përdorur këta faktorë dhe disa të tjerë për të vlerësuar se 73% e amerikanëve për momentin janë imunë ndaj Omicronit, e kjo vlerë mund të rritet deri në 80% deri në mes të marsit.

Kjo do të parandalojë ose shkurtojë sëmundjet e reja te njerëzit e mbrojtur dhe do ta zvogëlojë sasinë e virusit që qarkullon në përgjithësi, me gjasë duke i ulur valët e reja. Spitalet do të marrin pushim nga njësitë e kujdesit intensiv që ishin gjithmonë të stërngarkuara, kanë bërë të ditur ekspertët.

“Kemi ndryshuar” ka spikatur Ali Mokdad, profesor i shkencave të matjeve shëndetësore në Universitetin e Uashingtonit në Seattle. “Tashmë kemi qenë të ekspozuar ndaj këtij virusi dhe dimë si të përballemi me të”.

Mikrobi i rrezikshëm

Koronavirusi – varianti aktual ose i ardhshëm që me siguri do të shfaqet – mbetet një mikrob i rrezikshëm. Ai ende po infekton më shumë se 130.000 amerikanë dhe po vret më shumë se 2.000 çdo ditë, kurse dhjetëra miliona njerëz mbetën të pambrojtur.

Dhe do të ketë shpërthime në të ardhmen. Nocioni i një “imuniteti tufë” që mund të ndalojë virusin është zhdukur nën realitetin e ashpër të varianteve të reja, imunitetit në rënie dhe refuzimit të vaksinave nga disa amerikanë.

Ama koronavirusi nuk është më diçka e re. Dy vjet më parë ai mbërriti në një vend ku sistemi imunitar i askujt nuk e kishte njohur më parë. E gjithë popullsia – 330 milionë njerëz- ishin në mënyrë imunologjike naivë, domethënë të ndjeshëm ndaj infeksionit.

Lexo më shumë  “Gishtin e kemi në këmbëz”: Irani kërcënon me sulm drejt objekteve bërthamore të Izraelit

“Jam optimist që edhe nëse kemi rritje këtë verë rastet do të rriten, mirëpo jo edhe hospitalizimet dhe vdekjet”, ka thënë Mokdad, i cili punon në modelin e Institutit për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit, i cili llogariti shifrën prej 73% për “The Associated Press”.

Kthimi në normalitet

Me shkallë të ndryshme lehtësimi dhe kujdesi shumë amerikanë kanë filluar t’u kthehen stileve të tyre të jetesës para pandemisë.

Sarah Rixen, 41 vjeç, nga Bismarck, Dakota e Veriut, filloi të këndojë përsëri me një kor qytetar pasi mori një vit pushim. Tani, me përfundimin e Omicronit, ajo ka thënë se ndihet më e sigurt se në çdo kohë që nga fillimi i krizës.

“Megjithëse kam dyshime se një variant tjetër mund të jetë fshehur diku”, ka theksuar Rixen, duke vënë në dukje se familja e saj dhe shumica e të afërmve të saj janë plotësisht të vaksinuar. “Unë ende do ta mbaj maskën”.

Teksa detyrimet për maska po lehtësohen, punëtorët po kthehen në zyra dhe fluturimet po mbushen, ekspertët po përpiqen të kuptojnë nëse ky rikthim në normalitet mund të zgjasë ose nëse do të kthehet në një pengesë tjetër.

Për ta adresuar këtë, studiuesit po përpiqen t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me virusin, vaksinën dhe mënyrën se si reagojnë trupat tanë: Sa shpejt po pakësohet mbrojtja përforcuese kundër Omicronit? Sa zgjat mbrojtja nga infeksioni? Sa infeksione të lehta nuk u raportuan kurrë? Sa njerëz u infektuan, por nuk patën simptoma?

Në mënyrë që të hulumtojnë më mirë, ata i përdorin edhe të dhënat shëndetësore nga vende të tjera si Britania, Danimarka, Afrika e Jugut dhe Katari për të pasur parasysh se çka mund të jetë në dispozicion.

Lexo më shumë  Presidenti i Iranit paralajmëron përgjigje “masive” ndaj Izraelit

Shkencëtarët në Shkollën e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg vlerësojnë se rreth tre nga katër persona në Shtetet e Bashkuara do të jenë infektuar nga Omicroni deri në fund të rritjes.

“Ne e dimë se është një pjesë e madhe e popullsisë”, tha Shaun Truelove, epidemiolog dhe modelues sëmundjesh në Johns Hopkins. “Kjo ndryshon shumë sipas vendndodhjes dhe në disa zona ne presim që numri i të infektuarve të jetë më afër një në dy”.

Kjo do të thotë se rajone ose grupe të ndryshme njerëzish kanë nivele të ndryshme mbrojtjeje – dhe rreziku. Në Virxhinia modeluesit e sëmundjeve po mendojnë për popullsinë e tyre në terma të grupeve me nivele të ndryshme imuniteti.

Ata vlerësojnë se rreth 45% e qytetarëve të Virxhinias kanë nivelin më të lartë të imunitetit nëpërmjet dozës përforcuese ose nëpërmjet vaksinimit plus nga infeksioni i fundit me Omicron. 47% të tjerë kanë imunitet që është zbehur disi; dhe 7% janë më të rrezikuarit, sepse nuk janë vaksinuar dhe asnjëherë të infektuar.

Në përgjithësi, shumica dërrmuese e Virxhinias kanë të paktën njëfarë imuniteti, ka bërë të ditur Bryan Lewis, epidemiolog kompjuterik që drejton ekipin e modelimit të COVID-19 të Universitetit të Virxhinias.

“Kjo do të jetë një mburojë e bukur e blinduar për popullsinë tonë në tërësi”, tha Lewis. “Nëse arrijmë në norma shumë të ulëta të rasteve, sigurisht që mund të lehtësojmë disa nga këto kufizime”.

Megjithatë, ndërkohë që popullsia është më mirë e mbrojtur, shumë individë nuk janë të tillë. Edhe nga vlerësimet më optimiste për imunitetin e popullsisë, rreth 80 milionë amerikanë janë ende të prekshëm. Ky është pothuajse i njëjtë me numrin total të infeksioneve të konfirmuara në SHBA gjatë pandemisë.

“26% që mund të infektohen ende me Omicron tani duhet të jenë shumë të kujdesshëm”, ka paralajmëruar Mokdad.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *