Ambasadori ukrainas në Tiranë, Shkurov: Rusia po kërcënon gjithë botën demokratike
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, i bëri thirrje nga Tirana të gjitha vendeve të qytetëruara që të ndihmojnë me armë Ukrainën dhe të vendosin sanksione më të rënda ndaj Rusisë.
Gjatë fjalës së mbajtur në manifestimin në mbështetje të Ukrainës, Shukrov falënderoi Shqipërinë për ndihmën e dhënë dhe dënoi masakrat ruse në zonat afër Kievit.
“Sot po ju drejtohem në emër të popullit tonë që me kurajo ka mbrojtur atdheun tonë në 43 ditët e shkuara, kjo përpjekje ka marrë një shkallë epike me manifestimin e virtyteve më të larta të Ukrainës që më bëjnë krenar të them që jam ukrainas.
Siç e dini unë si ambasador kam jashtëzakonisht shumë informacion për tmerret e luftës, si në rrugë zyrtare ashtu dhe nga dëshmitë në terren dhe ajo ndryshon perceptimin tonë çfarë është e mirë apo e keqe.
Ju të gjithë e keni parë tmerrin e lënë pas nga ushtarët rusë në qytetet e Ukrainës, ngacmimet, vrasjet dhe dhuna ku përfshihen edhe të miturit. Kjo bëhet me qëllim dhe cinizëm të cilat tregojnë reflekset kafshërore të agresorit dhe një dëshire për të nëpërkëmbur popullin tonë.
Sot e kësaj dite armiku po përqendron mijëra tanke, raketa dhe helikopterë në Ukrainën Lindore dhe ne e dimë që ata nuk do të ndalojnë.
Për këtë arsye i bëj thirrje botës së qytetëruar për të transferuar armët e nevojshme dhe të ndërmarrin sanksionet më të rënda ndaj Rusisë.
Bucha na lë pa asnjë farë dyshimi se Rusia nuk rrezikon me brutalitetin e saj vetëm Ukrainën, por të gjithë botën demokratike”, tha Shukrov.
Rruga Press