Ambasadori Rohde shprehet i frustruar për moslargimin e masave të BE-së ndaj Kosovës
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka kërkuar që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen, teksa ka shprehur frustrimin se një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, Rohde ka kritikuar edhe qasjen e Serbisë pas njohjes që Kosova mori nga Kenia.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur i frustruar me masat që Bashkimi Evropian vazhdon t’i mbajë ndaj Kosovës.
Në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, të enjten, ambasadori Rohde tha se masat ndëshkuese duhet të largohen.
“Për masat, mund të përsëris vetëm se Gjermania avokon vazhdimisht heqjen e menjëhershme të masave si shumica e vendeve. Më duhet të pranoj se jam gjithashtu pak i frustruar që nuk ka ndodhur ende, sepse krijon një çekuilibër dhe efekte konkrete”, ka thënë ai.
Kosovës i janë vënë masat ndëshkuese në qershorin e vitit 2023 e ato nuk janë hequr edhe pse ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në fund të vitit të shkuar rekomandoi një gjë të tillë.
E ambasadori gjerman ka kritikuar edhe Serbinë pas reagimeve të zyrtarëve të saj, për njohjen e fundit që Kosova e mori nga Kenia.
“Është vërtet e mirëseardhur që Kenia e njohu Kosovën. Shpresoj që shumë vende të tjera ta bëjnë të njëjtën gjë. Dhe sigurisht që reagimi i Serbisë, është shkelje e rëndë e nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit për të mos bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, u shpreh Rohde.
Ambasadori Rohde, në intervistë ka folur edhe për marrëveshjen ushtarake të arritur mes Kosovës, Kroacisë e Shqipërisë, për Planin e Rritjes të BE-së si dhe për ndikimin dhe qasjen që mund ta ketë qeveria e re gjermane në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.
Rruga Press