Lajme

Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar nis misionin në Kosovë (FOTO)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Pasi që i ka uruar mirëseardhje ambasadorit të ri britanik, Presidentja Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit Hargreaves.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe për procesin e dialogut me Serbinë.

Lexo më shumë  Kryetari i Zveçanit Ilir Peci vendoset në objektin e Komunës

Presidentja Osmani ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është një aleate e fuqishme, e cila e ka përkrahur Kosovën në të gjitha etapat dhe në përballje me të gjitha sfidat.

“Ju shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Së fundmi, na nderoi vizita e kryeministrit Cameron në Kosovë, i cili na mbështeti dhe theksoi se forcat e Mbretërisë së Bashkuar janë këtu për ta mbrojtur Kosovën dhe sovranitetin e saj”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Lexo më shumë  Kosova dhe Ukraina në shënjestër të dezinformatave serbo-ruse gjatë javës që lamë pas

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit për fuqizimin e grave dhe pavarësinë ekonomike të tyre, ndërkohë që Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Hargreaves për edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili pritet të mbahet më 15-16 prill.

Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e deritashme dhe ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përfshirë mbrojtjen, tregtinë, investimet, arsimin si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

YouTube player