Ambasadori gjerman në Kosovë për ndalimin e boksierëve: Ky është shembull i “Ballkanit të mbyllur”
Boksierëve kosovarë së bashku me trajnerë iu është refuzuar hyrja në Serbi tri herë radhazi ku po shkonin të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit.
Kjo ka bërë që të reagojnë zyrtarë nga Federata e Boksit Ndërkombëtarë dhe nga Bashkimi Evropian.
Rreth këtij skandali, sot ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, i cili ka treguar që kjo është një shembull i “Ballkanit të Mbyllur”.
“Pajtimi i qëndrueshëm ndërmjet shoqërive të ndryshme fillon me shkëmbime intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike. Këto shkëmbime janë tejet të rëndësishme në ndërtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë”, tha Rohde në llogarinë e tij ‘Twitter’. “Politika nuk duhet të jetë pjesë e sportit, gjithmonë kjo është një ide jo e mirë. Ndalimi i pjesëmarrjes së boksierëve të Kosovës në Kampionatin Botëror që organizohet nga AIBA, është e kundërt me këtë gjë. Fatkeqësisht, ky është një shembull i ‘Ballkanit të Mbyllur’ dhe jo i atij të hapur”, shtoi ambasadori gjerman.
Ditën e djeshme, ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku ka thënë që kjo situatë ka tejkaluar nivelin sportiv, duke kaluar në çështje politike për shkak të qëndrimit të Serbisë kundër shtetit të Kosovës.
Rruga Press