Ambasada e ShBA-ve ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike në Kosovë, por ky rol duhet të ushtrohet në respekt të plotë të demokracisë dhe vullnetit qytetar
Nga Frashër Oseku
Ambasada e ShBA-ve ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike në Kosovë, por ky rol duhet të ushtrohet në respekt të plotë të demokracisë dhe vullnetit qytetar. Nuk është hera e parë që nga kjo ambasadë ka pasur tentativa për të ndikuar në prapaskenë. Kujtojmë vitin e “Grenellit”, kur LDK-ja u shty të merrte pushtetin duke përmbysur vullnetin e zgjedhjeve. Ato ndërhyrje nuk sollën stabilitet, përkundrazi, krijuan polarizim dhe humbje besimi tek institucionet.
Sot, po shohim një situatë të ngjashme, ku ekzistojnë pretendime se po punohet për mbledhjen e opozitës dhe Listës Serbe me qëllim formimin e një qeverie të re, në kundërshtim me votën e qytetarëve më 9 shkurt 2025. Edhe pse kjo qeveri ende nuk është formuar, vetë tentativa e tillë është një sinjal shqetësues që rrezikon të dëmtojë demokracinë e Kosovës. Partneriteti me ShBA-të është i çmuar dhe i domosdoshëm, por ai duhet të ndërtohet mbi barazi dhe respekt, jo mbi imponime që dobësojnë sovranitetin tonë.
Albin Kurti ka dëshmuar se është i përkushtuar të ruajë integritetin territorial dhe të mbrojë të ardhmen e Kosovës si shtet i pavarur e demokratik. Përkrahja ndaj tij është një mesazh i qartë se Kosova nuk pranon të bëhet pjesë e pazareve të dëmshme politike, por kërkon partneritete të sinqerta dhe respekt për zgjedhjen e qytetarëve të saj.
Në anën tjetër, opozita, për hir të dukjes para televizioneve, mundohet të shfaqet sikur ka përkrahjen e pakushtëzuar të “Amelikës”. Mirëpo, ky folklorizëm politik, që shkon deri tek gatishmëria për të pranuar bashkëqeverisje me Listën Serbe, nuk është patriotizëm i vërtetë. Është thjesht përpjekje për të legjitimuar interesa të ngushta, duke rrezikuar stabilitetin dhe demokracinë e vendit.
Rruga Press

