Lajme

Ambasada amerikane në Sarajevë: Dodik është i rrezikshëm jo vetëm për stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës, por edhe për të gjithë Ballkanin

Ambasada amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë reagoi pasi presidenti i entitetit të Republika Srpska (RS) të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, kërcënoi sërish me shpalljen e pavarësisë së RS dhe tha se një retorikë e tillë është arsyeja pse ai është nën sanksionet amerikane.

“Retorika separatiste e Milorad Dodik dhe kërcënimet për t’u shkëputur nga Bosnja dhe Hercegovina janë kundër Dejtonit dhe të rrezikshme, jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnje dhe Hercegovinës, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shkruan në reagimin e ambasadës në platformën X.

Ata shtuan se pikërisht këto deklarata dhe aktivitetet e Dodikut kundër Marrëveshjes së Dejtonit dhe përpjekjet për të minuar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës janë arsyeja pse Dodik është nën sanksionet e SHBA-së.

“Sipas Kushtetutës së Bosnje dhe Hercegovinës, një entitet apo ndonjë njësi tjetër nënshtetërore nuk ka të drejtë të shkëputet. Iluzionet e Dodikut janë një devijim i rrezikshëm nga e ardhmja paqësore, demokratike dhe e begatë që qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës, duke përfshirë ata që jetojnë në Republika Srpska, duan dhe e meritojnë”, thuhet në reagim.

Ata konkludojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështesin integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnjë-Hercegovinës.

Kujtojmë se Milorad Dodik në një intervistë për mediumin kroat “Nacional” ka thënë se 15 shtete do ta njohin Republika Srpska gjersa Kroacia do ta kundërshtojë, por në fund do ta pranojë realitetin e ri.

Lexo më shumë  Sa ndihmë ushtarake i është dhënë deri më tani Ukrainës?

Rruga Press

YouTube player