Alimehmeti: Qeveria uzurpon Bashkinë e Tiranës! Rrëmben pronat e destinuara për shkolla dhe çerdhe, ngre fabrikën e armëve dhe municioneve
Ilir Alimehmeti: Të nderuar qytetarë të Tiranës e të Shqipërisë! Në vazhdimësi të kapjes së pushtetit vendor, Kryeministri vendosi me VKM revokimin e së drejtës së pronësisë së Bashkisë Tiranë dhe transferimin e pronësisë të pasurive të saj në Njësinë Administrative nr. 1, zonë e njohur si ‘Ish-uzina e automjeteve/autotraktorëve’. Kjo pronësi i është kaluar Bashkisë Tiranë me VKM 219 që më 21 mars 2017, tetë vjet më parë për përdorim për realizimin e programeve arsimore dhe për realizimin e veprimtarive social-kulturore e sportive.
Çfarë bëri Bashkia Tiranë këto 8 vite? Asgjë? Asnjë objekt arsimor! Asnjë veprimtari sociale! Asnjë veprimtari kulturore! Asnjë veprimtari sportiv! Dhe ndërkohë që banorët kanë nevojë për çerdhe, për kopshte, për shkolla, për fusha sportive, zona nuk u zhvillua kurrë, madje as për banesa sociale. Tani, me një akt të dënueshëm rrëmbimi të kompetencave vendore, qeveria vendos marrjen e pronës së Bashkisë Tiranë dhe kalimin e saj në funksion të Ministrisë së Mbrojtjes me qëllim ndërtimin e fabrikave të prodhimit të armëve dhe municioneve.
Bazuar mbi ligjin e ‘Vetëqeverisjes Vendore’ të vitit 2015, të miratuar nga vetë qeveria Rama, i vetmi organ që mund të trajtojë pronat në pronësi të Bashkisë Tiranë është Këshilli Bashkiak. Për këtë arsye Partia Demokratike i kërkon Këshillit Bashkiak të Tiranës të trajtojë menjëherë dhe me prioritet këtë çështjen e këtij rrëmbimi të pronës në Njësinë Administrative nr. 1 dhe të dënojë publikisht kapjen e pushtetit vendor nga Kryeministri dhe Qeveria.
Për qëllime ushtarake, ka mjaftueshëm objekte dhe terrene që mund të përdoren e që ndodhen në zona më të përshtatshme po brenda territorit të Bashkisë Tiranë. Por pranë njerëzve dhe në zonat e banuara është e nevojshme të ndërtojmë çerdhe, kopshte, shkolla, objekte sociale dhe fusha sportive në mbështetje të tyre dhe familjeve të tyre.
Rruga Press