Alicia Kearns kritika ndaj BE-së dhe SHBA-së, thotë se një shtet i aleancës “Five Eyes” ka kryer hetime për Banjskën, por s’po i publikon gjetjet
Deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Sekretarit të jashtëm britanik, David Cameron, tha se një vend i ka hetimet për sulmin terrorist të Banjskës, por që nuk po i bën publik.
Ajo tha se ky vend është anëtar i aleancës “Five Eyes” – një rrjet i inteligjencës i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore midis Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re.
“Unë e di që një vend tjetër – një vend i Five Eyes – ka me të vërtetë një hetim të tërë, por ata nuk janë të gatshëm t’i publikojnë ato rezultate. Kështu që, unë mendoj se në Mbretërinë e Bashkuar duhet të dalin me rezultate duke shpjeguar saktësisht se çfarë ndodhi atë ditë sepse Vuçiq ende thotë se ajo që ndodhi atë ditë, nuk ka ndodhur”.
Deputetja ka tentuar të marrë një përgjigje nga kryediplomati britanik për konkluzionet e Londrës rreth Basnjskës. Por, Cameron vetëm ka bërë një përshkrim të asaj çfarë ka ndodhur duke thënë se po të mos ishte Policia e Kosovës, grupi i Banjskës i armatosur rëndë ka mundur të sulmojë stacionet policore dhe të vendosë barrikada.
Kearns tha se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të dalin me përgjigje për Banjskën meqë kanë vendosur masa ndaj Kosovës.
“Në këtë fazë asnjë qeveri nuk ka ardhur të thotë kjo është ajo që ka ndodhur, këta janë ata që i kanë armatosur, nga kjo ka ardhur… Jam e interesuar të di pse s’ka pasë një përgjigje nga BE-ja dhe veçanërisht nga SHBA-ja, që kanë vendosur masa ndaj Kosovës”.
Kearns tha se NATO-ja i shpërfilli shqetësimet e saj vitin e kaluar kur deklaroi se armët po futeshin ilegalisht në Kosovë dhe po fshiheshin në kisha.
Ndërkaq, për sulmin terrorist në Banjskë, Cameron tha se ishte një ndër incidentet më të rënda në Kosovë dhe “paraqiti një rrezik të madh” për sigurinë e rajonit.
“Sulmi i Banjskës mund të ishte vërtet një ngjarje rrëqethëse”.
Rruga Press