Ali Ahmetit më shumë se çdokush, dëm i bën e vërteta e dështimeve të tij politike
Nga Bekim Qoku
Ali Ahmetit më shumë se çdokush, dëm i bën e vërteta e dështimeve të tij politike.
E vërteta që:
• familjarët e tij janë sot ndër shqiptarët më të pasur të shtetit unitar të Maqedonisë së Veriut. Vetëm nipit të tij iu fal në zemër të Shkupit qendra tregtare Soravia që zinte vlerën prej rreth 35 milion eurosh;
• sipas Edi Ramës, ai është arkitekti i Ballkanit të Hapur, projekt që e disfavorizonte dhe dëmtonte Kosovën dhe forconte “Botën Serbe” në Ballkan;
• ende nuk është distancuar nga ky projekt serb;
• ministri i tij i Jashtëm, Bujar Osmani, me instruksionet e tij, propozoi planin famëkeq me 9 pika, që kërkonte largimin e policisë së Kosovës nga veriu dhe favorizonte strukturat paralele kriminale të Radojçiqit;
• ai vetë dhe partia e tij nuk e dënuan kurrë aktin terrorist të Banjskës, as nuk ngushëlluan popullin e Kosovës dhe familjen e heroit Afrim Bunjaku;
• familjarë të afërt të tij i shitën së fundmi aksione një banke serbe të lidhur me regjimin e Vuçiqit, duke futur njerëzit e Beogradit që tani kontrollojnë edhe një bankë, pas firmave të kazinove; ndërkohë, vetë Ahmeti, me 8 vjet ministër financash (Fatmir Besimi) dhe kryeministër teknik në duar, nuk themeloi asnjë bankë me kapital shqiptar;
• për 22 vjet pushtet, e me dhjetëra ministra, nuk arriti të ndërtojë as rrugën e famshme 12 kilometërshe Shkup–Bllacë, si dhe asnjë kilometër të Korridorit 8;
• dështoi absolutisht në realizimin e çfardoqoftë investimi kapital në zonat ku shqiptarët janë shumicë: asnjë spital, asnjë stadium, asnjë teatër, asnjë fushë sporti, asnjë bibliotekë, asgjë. (Megjithëse duket sikur i thotë dikush nga inati, por këto, fatkeqësisht, janë fakte të verifikushme.)
• për 22 vjet në pushtet nuk arriti të vërë në funksion as regjimin One Stop Shop në pikat kufitare me Kosovën, as me Shqipërinë;
• ministri i tij i Jashtëm, Bujar Osmani, vizitoi 11 herë Serbinë dhe asnjëherë Kosovën; madje, si kryesues i OSBE-së, e pa të udhës të vizitojë dy herë Ukrainën, por asnjëherë Kosovën, edhe kur kriza në veri ishte në kulm.
• po ky ministër, priti Lavrovin, ministrin rus në të vetmin shtet të NATOs, të cilit ia kishte mbyllur derën e gjithë Evropa demokratike;
• bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë janë futur në Listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit;
• krahu i djathtë dhe kanakari i tij është në arrest shtëpiak, në Listën e zezë amerikane me akuzën se ka ndërhyrë në gjyqësor për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, organizatorin e Rastit të Kumanovës dhe një ndër politikanët më antishqiptar të këtyre 3 dekadave të fundit;
• regjimi i tij u cilësua si “kancer korrupsioni”, kurse ambasadorja amerikane Ageler e cilësoi si “Epidemi korrupsioni”.
• dështoi në zyrtarizimin e gjuhës shqipe, por e la me etiketën e turpit 20%, e drejtë që u jepet vetëm pakicave;
••• në fund, më e dhimbshmja dhe e pakorrigjushme, si rezultat i dështimeve të tij politike ai dhe partia e tij janë fajtori kryesor për largimin e mbi 300 mijë shqiptarëve përsa kohë ai ka qenë në pushtet, me plot afera e krime të ndryshme politike, ekonomike dhe morale.
Rruga Press

