Alfred Lela: Në Shqipëri nëse kundërshton qeverinë rrezikon burgun, opozitarizmi nuk lejohet në vend
I ftuar ditën e sotme në edicionin informativ të orës 19:00, në Syri Televizion me moderatore Armela Ferkon, drejtori i komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, ka komentuar çështjen e dënimit të Fredi Belerit dhe jo vetëm.
Sipas Lelës, sot në Shqipëri ka të burgosur politik, pra ti nuk mund të jesh opozita sepse po u apasionove pas opozitarizmit, pas kundërshtimit të qeverisë rrezikon burgun.
Deklarata e tij:
“Zoti Rama e ka përdorur këtë ndërkohë, kujtoni Dhjetorin kjo ishte karta që përdori për të thënë se përse mbetet në klasë për të disatën herë sa i takon integrimit në BE. Unë do të doja në fakt ose më saktë jam i interesuar për ta diskutuar çështjen si të brendshme.
Kam përshtypjen që edhe kjo të futurit në lojën më të madhe të integrimit duke sikur e zbeh atë që po ndodh. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është se ka të burgosur politik, pra ti nuk mund të jesh opozita sepse po u apasionove pas opozitarizmit, pas kundërshtimit të qeverisë rrezikon burgun, akuzimin e kështu me radhë.
Unë them se kjo është kryesorja edhe Europa vjen më pas me gjithë pëlqimin që kemi për Europën. Halli i madh është që pamundësia për të qenë opozitar, Sali Berisha apo Fredi Beleri, këto janë dy shembuj sidomos rasti i zotit Berisha si ish-kryeministër e tashmë si lider i opozitës tregon se opozitarizmi është si një lloj sporti që nuk lejohet më në Shqipëri.
Është një pasion që nuk duhet ushtruar më, kur them dhe pasion duket sikur e zvogëlon atë ç’ka është opozitarizmi, por jam duke e thjeshtuar për hir të argumentit.
Fakti që nuk bën dot opozitë është se ka rënë grehina e asaj që paraardhësit në breza të shqiptarëve të 2024 ,u ngritën në vitin 1991-1992 dhe e rrëzuan për të sjellë demokracinë, duke i dhënë fund iluzionit të komunizmit”.
Rruga Press