Bota

Aleati i Putinit brenda BE-së, Viktor Orban kërcënon Ukrainën me ndërprerje të energjisë elektrike

Kryeministri hungarez, Viktor Orban tha se Hungaria mund të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për Ukrainën fqinje, nëse Kievi vazhdon të ndërhyjë në furnizimet me naftë ruse.

“Nuk dua të kërcënoj ose paragjykoj asgjë. Por, Ukraina merr një pjesë të konsiderueshme të energjisë elektrike përmes Hungarisë”, u tha dje Orban gazetarëve hungarezë në Uashington.

Udhëheqësi hungarez tha se Kievi duhet të ndalojë atë që ai e përshkroi si përpjekje për të krijuar trazira dhe për t’u angazhuar në shantazh duke shtuar se Budapesti mund të marrë në konsideratë hapa hakmarrëse.

Që nga fundi i janarit, nafta ruse nuk ka arritur në Hungari nga naftësjellësi ”Druzhba” përmes Ukrainës duke ndërprerë furnizimet nga të cilat Hungaria dhe Sllovakia janë kryesisht të varura.

Lexo më shumë  Vatikani s’do të marrë pjesë në Bordin e Paqes të Trumpit

Orban, i cili përballet me zgjedhje të vështira parlamentare më 12 prill, pretendoi se Kievi dëshiron që ai të humbasë votimin dhe po kërkon të rrisë kostot e ngrohjes hungareze duke bllokuar naftësjellësin.

Pa paraqitur prova, ai pretendoi se partia konservatore në rritje e opozitës, Partia e Respektit dhe Lirisë (”Tisza”), ishte financuar nga Ukraina dhe se Ukraina, Bashkimi Evropian dhe Gjermania kishin arritur një pakt sekret në Konferencën e fundit të Sigurisë në Mynih, që synonte largimin e tij nga detyra.

Për herë të parë në 16 vjet, Orban përballet me një sfidë serioze për kontrollin e tij të pushtetit.

Lexo më shumë  Si po i mbyllet Serbisë dera drejt Bashkimit Evropian

Sondazhet gjatë 18 muajve të fundit kanë treguar se ”Tisza”, e udhëhequr nga Peter Magyar, është tetë deri në 10 pikë përqindje përpara ”Fidesz” të Orbanit.

Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës gati katër vjet më parë, Orban është përpjekur të bllokojë ndihmën e BE-së për Kievin dhe sanksionet ndaj Moskës, duke e quajtur politikën e bllokut ndaj Ukrainës si luftënxitëse.

Orban i bëri këto komente pas takimit të parë të të ashtuquajturit Bordi i Paqes i presidentit të SHBA-së Donald Trump, një organ i sapokrijuar, në të cilin Hungaria dhe Bullgaria janë të vetmet anëtarë të BE-së.

Rruga Press

YouTube player