KryesoreLajme

Albulena Haxhiu kritikon ashpër Avokatin e Popullit: “Po funksionon me standarde të dyfishta për Listën Serbe”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Avokatit të Popullit lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga KQZ-ja, duke e cilësuar këtë reagim “të çuditshëm dhe të padrejtë”.

Haxhiu ka thënë se është e pakuptueshme se si ky institucion shpreh shqetësim për një subjekt politik që “lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh shtetin dhe ka pasur në kryesi kriminelë të lidhur me terrorizmin”. Ajo kujtoi se Lista Serbe jo vetëm që nuk është distancuar nga sulmi terrorist në Banjskë, por “ka mbajtur tri ditë zie për terroristët e vrarë”, ndërsa Avokati i Popullit – sipas saj – reagon me lehtësi.

Ministrja theksoi se shqetësimi i institucionit të Avokatit të Popullit është edhe më i rëndë në rrethanat kur, siç thotë ajo, ky institucion nuk ka reaguar asnjëherë për vendimet që “po vështirësojnë votimin e mërgatës”.

Lexo më shumë  Kosova e Britania drejt marrëveshjeve strategjike në mbrojtje e siguri

“IAP nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta,” deklaroi Haxhiu, duke rikujtuar se vendimi i KQZ-së “nuk është kundër subjekteve apo qytetarëve serbë”, pasi disa prej tyre janë certifikuar tashmë. Sipas saj, arsyet për moscertifikimin e Listës Serbe janë të qarta dhe të justifikuara.

Në fund, Haxhiu paralajmëroi se selektiviteti i Avokatit të Popullit “bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që ky institucion duhet t’i mbrojë”.

Reagimi i plotë:

Avokati i Popullit duhet ta përfaqësoj më drejtë emrin që mban. Kësaj radhe ky institucion paska reaguar për moscertifikimin e Listës Serbe. Reagim i çuditshëm përveçse i padrejtë.

Si është e mundur që për një subjekt si Lista serbe që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh Kosovën, e ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe jo vetëm që nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë, por ka mbajtur tre ditë zie për terroristët e vrarë aty, IAP shprehet i shqetësuar me kaq lehtësi?

Edhe më e rëndë bëhet gjendja kur marrim parasysh se Avokati i Populli nuk ka shfaqur asnjë shqetësim për tendencat e vazhdueshme dhe vendimet që po vështirësojnë votimin e mërgatës sonë.

IAP nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta. Vendimi i KQZ nuk është kundër subjekteve serbe dhe as qytetarëve serb sepse tashmë KQZ ka certifkuar disa subjekte serbe. Arsyet për moscertifikimin e LS tashmë janë të njohura dhe të justifikuara.

Ky lloj selektiviteti bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që IAP duhet t’i mbrojë.

Lexo më shumë  Ajeti jep një lajm të mirë: Kosova ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në kontinent
YouTube player