Albin Kurti prap thirrje ndërkombëtarëve të dënojnë pengmarrjen e tre policëve
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mbajtur sot një konferencë për shtyp në lidhje me situatat e krijuara së fundmi dhe tensionet me Serbinë, aq më tepër pas arrestimit të tre policëve nga Beogradi.
Ai ka bërë me dije se ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ka takuar këtë të martë tre efektivët.
“Ambasadori Jashari sot i ka vizituar ndaras tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Përshkrimi i tre policëve se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjti. Janë tri rrëfime ndaras të njëjta. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë duke ngrënë drekë, kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë”, tha ai.
Sipas tij, vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë.
“Ne jemi në të drejtën tonë dhe dëshmitë që posedojmë dokumentojnë qartë se policët ishin brenda territorit të Kosovës kur u rrëmbyen. Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por rrëmbim në Kosovë. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës. Ata që pretendojnë se policët janë arrestuar në Serbi duhet ta shpjegojnë se si lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë gjetur një kilometër larg kufirit në pjesën veri-perëndimore, 670 metra larg në veri-lindje nga kufiri me Serbinë”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka vijuar me thirrjen se ndërkombëtarët duhet të tregojnë se ky ishte agresion nga ana e Serbisë.
“Ndërkombëtarët duhet të tregojnë që ka qenë agresioni i Serbisë dhe ata policë duhet të liroheshin. Masat e marra në kufi janë masa sigurie.
Nga ana tjetër janë organizuar disa kamionë që nuk lejojnë lëvizjen e njerëzve dhe personave. Qeveria jonë nuk ka marrë masa ekonomike e tregtare në ato pika, por vetëm masa sigurie”, ka deklaruar ai.
Kreu i qeverisë së Kosovës ka shtuar se është i gatshëm të shkojë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Do të komunikoj edhe me Brukselin dhe jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel në mënyrë që të paraqes hollësisht këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që deeskalimi i situatës, të cilin po kërkojnë të gjithë, nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, ka shtuar se normalizimi mes dy vendeve nënkupton zbatimin e menjëhershëm, pa kushte dhe të plotë të Marrëveshjes bazike.
Rruga Press