KryesoreOpinion/Aktualitet

Albin Kurti – Non Grata e pamundur e klasës politike mbarëshqiptare

Shkruan Stefan Paloka

Që nga fillimi i jetës së tij publike, Albin kurti është paraqitur nga kundërshtarët, armiqtë a, po të doni, rivalët e vet politikë si një personalitet ekscentrik, i pangjashëm me atë që ata, edhe pse nuk e artikulojnë shkoqur, e mendojnë a mbase thjesht e kanë pjesë të inventarit të mendjes së tyre reaktive si etalonin e politikanit. Është kjo arsyeja për të cilën, teksa mund të ndahen sa u takon platformave të proklamuara politike, politikanët shqiptarë i bashkon urrejtja patologjike ndaj Albin Kurtit, e shprehur në forma nga më të larmishmet, të cilat variojnë që nga bubullimat anatemuese e denigruese të më të pagdhendurve deri te shpërfillja e shtirur e më të rafinuarve.

E, teksa nuk është vendi këtu të merrem me karakteristikat e politikanit që i përshtatet midesë së klasës aktuale politike mbarëshqiptare, po mjaftohem vetëm me konstatimin se ajo nuk do të mund ta pranojë kurrë me dëshirë Albin Kurtin në radhët e veta. Madje, po ta kishin të mundur, pra, po të kishin në dorë ndonjëfarë mjeti juridik të përshtatshëm për këtë qëllim, jam pothuajse i sigurt se të gjitha formacionet që përbëjnë spektrin politik të botës shqiptare do të binin në ujdi për t’ia bërë atij të pamundur veprimtarinë politike. Sa për ngjitjen e tij në krye të shtetit, as që do të bëhej fjalë.

Por ja që jemi këtu ku jemi, me Albin Kurtin kryeministër të Kosovës, falë vullnetit kolektiv politik të qytetarëve të shtetit më të ri të Evropës për të testuar platforma dhe liderë përtej disa kornizave të ngurta tradicionale institucionale, garantuar nga ndershmëria në respektimin e rregullave të lojës politike.

Lexo më shumë  "Rama shtrëngohet fort me Vuçiqin, por s'e luan prapanicën kur i jep dorën Albin Kurtit"

Shkurt hesapi, një lider politik ndryshe, si shprehje e një bashkësie politike të ndryshme nga simotrat e veta të Ballkanit Perëndimor. Po flasim për Kosovën, shtetin që, edhe pse në foshnjërinë e vet ekzistenciale, me historikun e shkurtër të shtetndërtimit, do t’i turpëronte fqinjët piterpaneskë, këta fëmijë të përjetshëm që s’duan e s’duan të rriten, kuptohet, sikur këta të fundit të kishin qëlluar të pajisur me ndjenjën e turpit si pjesë e natyrshme e konstitucionit të tyre shpirtëror.

S’do mend se kujtdo që zotëron aftësinë për të analizuar objektivisht i dhemb fort mospërputhja mes Kosovës de facto siç u përshkrua më lart, si manifestim i situatës së saj të brendshme politike dhe Kosovës de jure, a, thënë ndryshe, pabarazisë së saj katërcipërisht të pamerituar në raport me fqinjët, diktuar nga faktorë që ky vend nuk mund t’i kontrollojë.

Këto mendime më sillen prej kohësh në kokë, por m’u kristalizuan plotësisht pasi dëgjova ligjëratën e kryeministrit të Kosovës mbajtur në Universitetin e Kembrixhit më datë 7 qershor 2022. Kthjelltësia e mendimit, qartësia e ligjërimit, koherenca e ideve, zhdërvjelltësia në dialogim, aq të spikatura gjatë asaj ore, nuk tregojnë asgjë tjetër pos një lideri që ndihet si peshku në ujë edhe përballë panelit më sfidues të mundshëm, në saje të vizionit dhe misionit të qartë, vetëdijes për sfidat me të cilat përballet, seriozitetit të qëllimeve, vendosmërisë për t’i ndjekur ato me çdo kosto, si dhe ndershmërisë intelektuale që gjen shprehje në unitetin mes asaj që mendon dhe asaj që thotë dhe bën.

Lexo më shumë  Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave, eurodeputeti holandez: Shtetet anëtare të KiE-së iu përulen Serbisë

Sa për drejtësinë e platformës politike të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, ajo nuk është as më e madhe, as më e vogël sesa kauzat që kanë në themelin e tyre programet dhe platformat politike të secilit formacion tjetër politik që gjëllon kudo ku ka shqiptarë.

Pse? Sepse në qarqet demokratike dihet mirëfilli se asnjë platformë politike nuk do ta kalonte klasën si kryeplatforma, për shkak të karakterit të kufizuar të njohjes, pamundësisë së saj për ta rrokur realitetin objektiv në të gjitha përmasat e tij e, rrjedhimisht, pamundësisë objektive për të prodhuar zgjidhje politike absolutisht të pakonkurrueshme. Në fund të fundit, a s’bazohet pikërisht në këtë premisë rregulli demokratik i kufizueshmërisë në kohë të mandatit qeverisës dhe mundësisë së rotacionit politik?

P.S. Autori i këtyre rreshtave nuk njeh personalisht as Albin kurtin, as ndonjërin nga eksponentet e partisë së tij në Prishtinë a Tiranë, kështu që mos e lodhni mendjen që, për sa u shkrua, të kërkoni motive përtej admirimit të pastër për një burrë shteti që deri më sot i ka munguar Ballkanit, përkundër mungesës së ndonjë simpatie të veçantë për ideologjinë e presupozuar shprehje e së cilës është Lëvizja “Vetëvendosje!”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *