Bota

Alarmon SHBA-ja: Udhëheqësit ushtarakë rusë diskutuan përdorimin e armëve bërthamore

Udhëheqësit ushtarakë rusë diskutuan kohët e fundit përdorimin e armëve bërthamore taktike në Ukrainë, sipas disa zyrtarëve amerikanë të cituar nga New York Times.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk mori pjesë në bisedimet, të cilat u mbajtën në një kohë të tensioneve në rritje në Moskë, të nxitura nga humbjet e fundit të forcave ruse në fushat e betejës në të gjithë Ukrainën.

Vetë fakti që krerët e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse po diskutojnë për përdorimin e armëve bërthamore ka alarmuar administratën e presidentit Joe Biden sepse tregon se gjeneralët rusë janë jashtëzakonisht të frustruar nga dështimet e forcave të tyre në fushën e betejës. Kjo sugjeron se kërcënimet disi të paqarta të Putinit për përdorimin e armëve bërthamore mund të mos jetë krejtësisht të pabaza.

Por zyrtarët amerikanë thanë gjithashtu se ata ende nuk kanë prova se forcat ruse po lëvizin armë bërthamore ose po ndërmarrin veprime të tjera që mund të jenë një nismë për një sulm bërthamor.

Të dhënat e inteligjencës amerikane për bisedat që u zhvilluan në qarqet ushtarake ruse mbërritën për herë të parë në mes të tetorit, shkruan NY Times .

Siç thotë më tej NY Times, zyrtarët amerikanë nuk zbuluan saktësisht se cilët skenarë për përdorimin e armëve bërthamore janë diskutuar nga gjeneralët rusë. Duhet të theksohet se shefi i CIA-s, William J. Burns , ka argumentuar më parë se humbjet e Putinit në fushën e betejës mund ta shtyjnë atë drejt aktit potencialisht të dëshpëruar të përdorimit të armëve bërthamore për të arritur fitoren në Ukrainë.

Lexo më shumë  Fëmijët palestinezë protestojnë, kërkojnë të drejtën për arsimim

Zyrtari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John F. Kirby, nuk pranoi të komentonte detajet e raportit të Times, por vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara i kanë parë që në fillim kërcënimet ruse për përdorimin e armëve bërthamore shumë shqetësuese.

Pentagoni vlerëson se Rusia ka një rezervë prej rreth 2000 kokash bërthamore taktike. Fuqia e tyre është dukshëm më e ulët se armët bërthamore strategjike dhe ato janë të destinuara për përdorim në fushën e betejës, megjithëse kjo nuk do të thotë se ato nuk mund të godasin në objektiva të tjerë. Ato mund të lëshohen me raketa apo edhe të qëllohen nga disa lloje të armëve artilerie. Nëse Moska vërtet vendos të përdorë armë bërthamore, kjo do të ndryshonte rrënjësisht jo vetëm luftën në Ukrainë, por gjithashtu do të provokonte një reagim global, pasojat e të cilit nuk mund të parashikohen.

Lexo më shumë  Gjermania tërheq të dërguarin e saj në Rusi pas një sulmi kibernetik

Qoftë edhe një kokë më e vogël bërthamore mund të rezultojë në mijëra viktima dhe ta bëjë një pjesë të Ukrainës përgjithmonë të pabanueshme. Nga ana tjetër, pyetja më e madhe është se si do të reagonin fuqitë perëndimore, por edhe Kina ndaj një lëvizjeje të tillë të Rusisë. Çdo përgjigje proporcionale në tokën ruse me shumë gjasa do ta çonte botën në një përshkallëzim të paimagjinueshëm në të cilin përdorimi i armëve bërthamore do të bëhej një opsion, i cili mund të çonte në shkatërrim total.

Në çdo rast, vendimi për përdorimin e armëve nga arsenali bërthamor i Rusisë i takon vetëm presidentit Putin.

Megjithatë, siç shpjegon NY Times, nëse Putini vendos të përdorë armë bërthamore taktike në Ukrainë, kjo nuk do të thotë se ai thjesht mund të “shtypë butonin e kuq” dhe të nisë një sulm. Komandantët ushtarakë rusë në terren duhet të informohen paraprakisht për përdorimin e mundshëm të armëve, të cilat më pas duhet të kryejnë një sërë veprimesh të tjera përpara se të lëshohen. 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *