Lajme

Alarm përmbytjesh në jug/ Lumenjtë dalin nga shtrati, Vjosa kërcënon banesat në Vlorë e Fier

Lumenjtë dolën nga shtrati dhe krijuan përmbytje në jug të vendit, pasi reshjet intensive të shiut shtuan prurjet.

Vjosa veç tokave bujqësore përgjatë rrjedhës që nga Gjirokastra, rrezikon 8 banesa, pranë Urës së Mifolit në Vlorë, ku ka arritur nivelin 7 metra.

Orët në vijim, pritet të jenë vendimtare.

“Jemi në ndjekje të situatës lidhur me lumin Vjosa. Nga informacionet e fundit që kemi marrë niveli i Vjosës ka shkuar 7.5 madje ka kaluar pak, çka do të thotë që për disa orë, 4 apo 5 edhe situata në pjesën tonë do të përkeqësohet. Ne kemi nxjerrë në terren të gjithë administratorët, jemi duke njoftuar të gjithë njerëzit që të marrin masat, kryesisht ata që janë afër zonave që janë prekur zakonisht nga lumi Vjosa, për të marrë masa për gjënë e gjallë, por edhe në evakuimin e ndonjë sendi, që ata e vlerësojnë të vlefshëm. Nuk ka vend për panik, por duhet të mendojmë të bëjmë kujdes sepse, siç e thashë pas orës 9 dhe 10 të darkës situata do të vijë duke u përkeqësuar.”

Lexo më shumë  OBSH: Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Evropë

Lumi i Kalasës dhe Ai i Bushtricës përmbytën toka bujqësore në Fshatrat Metoq e Çukë, ndërsa Shushica ka izoluar Mesaplikun në Selenicë, pasi shembi urën e improvizuar.

Të izoluar janë edhe fshatrat Podgoran në Këlcyrë, e Zhulat në Gjirokastër, ndërsa rruga Përmet-Çarçovë-Korçë është e bllokuar

Ndërsa këto pamje tregojnë Fushën e Sportit në Derviçan që ngjan si Pishinë.

Osumi është në kuotën maksimale duke kërcënuar me përmbytje, ndërsa 13 fshatra në Qarkun e Beratit vuajnë mungesën e energjisë.

150 hektarë tokë janë nën ujë në zonën e Ketenës së Kakariqit në Lezhë, ndërsa , rruga Lalez-Bizë në Durrës ka pësuar rrëshqitje masive.

Në juglindje dhe veri, reshjet janë në formën e dëborës ndërsa temperaturat kanë shënuar rënie të ndjeshme. Dëbora e Parë ra në qytetin e Korçës.

Lexo më shumë  Kosova fillon kapitullin e negociatave për tregtinë e shërbimeve me vendet EFTA 

Në Dardhë, arrin mbi 35 cm dhe lëvizja bëhet vetëm me zinxhirë, ndërsa vështirësi ka edhe ne Qafën e Qarrit.

Në Pogradec, ka probleme në fshatrat e thella dhe rrugën e Qafë Thanës Në Kala të Dodës, Lurë e Selishtë të Dibrës, dëbora shkon deri në 40 cm.

Në Rrugën e Arbrit që në By Passin e Qafë Murrizit kalohet vetëm me zinxhirë. Në Kukës, rruga e Arrënit është e bllokuar dhe shumë akse të tjera kalohen vetëm me zinxhirë

Në Shkodër të bllokuara mbeten Thethi dhe Vermoshi, ku ka deri në 80 cm dëborë. Shumë fshatra në të gjithë veriun raportojnë mungesë të energjisë.

Nivelet e ujit në lumenjtë Buna e Drin janë në kuota të ulëta dhe deri tani nuk paraqitet rrezik përmbytje.

Situata edhe në kaskadën e Drinit, është nën kontroll ku në Fierzë prurjet janë 450m3/sek dhe ndodhet në kuotën e 273.11 metrave.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *