Akti i dobët i opozitës në Kosovë që braktisi sallën në ditën e Pavarësisë
Braktisja e sallës nga ana e opozitës në Kosovë ditën e përvjetorit të 14 të nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës përbën një akt të dobët në dy drejtime, së brendshmi dhe së jashtmi.
- Së brendshmi tregon mungesën e kreativitetit në veçanti dhe opozitarizmit në tërësi duke pretenduar se po godasin kryeministrin në një ditë ku kamerat vendase dhe të huaja janë të drejtuara nga Kosova.
- Së jashtmi, është një kontribut në dobësimit të pozicionit të Kosovës si subjekt i bashkuar në rrafshin ndërkombëtar, kur vjen puna tek interesi krucial i vendit, si sovraniteti, integriteti territorial, siguria dhe integrimet.
Ky akt pra tregon për dobësimin e opozitarizmit, i cili nuk është rënie e thjesht trupit opozitar, por edhe e kritikës së mirëfilltë ndaj qeverisjes. Duke e bërë keq opozitën, dëmtohet interesi publik po aq sa potencialisht nga qeverisja e keqe.
Dëmi më i madh ndodh sa i përket kontekstit rajonal dhe sidomos në kohën e krizës Rusi- Ukrainë.
Kur, Rusia tashmë akuzon shqiptarët si mercenarë në Ukrainë, lojrat e opozitës ditën e Pavarësisë së Kosovës e nxjerrin faktorin shqiptar më vulnerabël dhe potencialisht më të përçarë, edhe pse qëndrimi perëndimor, në veçanti ai amerikan është më mbështetës se kurrë për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
©Rruga Press