KryesoreLajme

Aktakuzë kundër dy serbëve për huliganizëm në veri të Kosovës

Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet R.P dhe D.O. të nacionalitetit serb.

“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të lartcekurit në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit”, njofton Prokuroria.

Lexo më shumë  Policia dhe KFOR-i amerikan sulmohen në Leposaviq – iu bllokua rruga dhe u hodhën shishe xhami ndaj tyre

Në njoftim nuk specifikohet se kur janë kryer këto vepra penale. Por, vitin e kaluar aktakuzë për veprën e njëjtë penale ishte ngritur ndaj dy serbëve, të cilët dyshohej se kishin qenë të përfshirë në protestat e dhunshme në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, në fundin e majit të vitit të kaluar.

Serbët në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok atëbotë kundërshtuan hyrjen në ndërtesa komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet e prillit të vitit 2023. Këto votime ishin bojkotuar nga serbët lokalë dhe partitë serbe.

Dhuna kulmoi në Zveçan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me forcat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra ushtarë dhe protestues u plagosën gjatë përleshjeve.

Me këto veprime të pandehurit R.P dhe D.O. akuzohen për  veprën penale ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi  1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas Kodit Penal të Kosovës, mund të dënohen deri me pesë vjet burgim.

Rruga Press

YouTube player