Argument

Akt normativ i orës së fundit – Proverbit “leku e çon ujin përpjetë” i shtohet pjesa: ”…dhe e zhyt euron në fund të pusit”

Nga Lutfi Dervishi

Për shkak të zhvillimeve të jashtëzakonshme në tregun valutor, miratohen këto ndryshime në fondin e urtësisë popullore shqiptare:

1. Shprehja “ta bësh tjetrin për një lek” zëvendësohet me “ta bësh për një euro”, sepse një lek nuk e ul më tjetrin aq sa duhet.

2. Kënga “dy dele treqind pare” rititullohet “dy dele gjashtëqind euro”, për t’iu përshtatur realitetit të ri ekonomik.

3. Thënia “jep dhjetë lek e hyn në valle, jep njëqind e nuk del dot” përditësohet në: “jep 20 euro e hyn në valle, jep 200 euro e nuk del dot.”

4. Proverbit “leku e çon ujin përpjetë” i shtohet pjesa: ”…dhe e zhyt euron në fund të pusit.”

Lexo më shumë  Vetëm para dy muajsh Bedri Hamza kërkonte marrëveshje politike përpara konstituimit të Kuvendit, ndërsa tani kërkon të kundërtën

5. Shprehja “s’vlen asnjë lek” shfuqizohet. Në fuqi hyn formulimi: “s’vlen asnjë euro.”

6. Këshilla “ruaj një lek për ditë të zezë” (black Friday) ndryshohet në: “ruaj një euro, se nuk i dihet lekut.”

7. Në të gjitha tekstet shkollore, fjalia “leku është monedha kombëtare” plotësohet me sqarimin: ”…është monedhë më e fortë se ato të ekonomive shumë më të mëdha.”

8. Shprehja “i ka bërë lekët rrush e kumbulla” përditësohet në “i ka bërë eurot shezlonge e parkim”.

9. Shprehja: “Ka ardhur ditë e keqe, lekun ta kërkosh me qiri” shfuqizohet. Në fuqi hyn: “Ka ardhur ditë e keqe, euron ta sjellësh me kontenier, e prap nuk e përballon lekun”

Lexo më shumë  Çollaku: Vendosja e Policisë në Urën e Mitrovicës, meritë e Qeverisë Kurti

10. Fjalori i ekonomisë përditësohet. Termi “euro e fortë” hiqet përkohësisht nga përdorimi deri në njoftimin e dytë.

11. Për të shmangur keqkuptimet, të gjithë ata që ankohen se pagat nuk u dalin, këshillohen të mos i referohen pagës së tyre, por pagës mesatare, në euro!

Neni i fundit

Këto ndryshime hyjnë në fuqi menjëherë dhe mbeten në fuqi deri në ditën kur euroja të kujtohet se dikur ishte monedhë e fortë.

Rruga Press

YouTube player