Aksioni në veri, deklarohet Policia: Janë identifikuar nëntë lokacione të cilat operonin si posta ilegale
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, ka vazhduar angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në nivel vendi, përfshirë veriun e Kosovës.
Sipas një njoftimi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook sot gjatë ditës është duke u realizuar një operacion policor në veri të Kosovës, i cili bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa liçencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.
“Bazuar në informacionet zyrtare kanë filluar hetimet policore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku deri më tani janë identifikuar nëntë lokacione ku funksiononin posta të tilla ilegale.
Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e tyre.
Rruga Press