KryesoreLajme

Akoma pa sanksionuar Serbinë, BE-ja paraqet një draft për Asociacionin, fton në Bruksel Kurtin e Vuçiqin

Pa dhënë hollësi se për çfarë saktësisht është fjala, nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se kanë bërë një “propozim modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tash presin nga palët që për këtë, por edhe për të gjitha çështjet tjera nga dialogu, të “veprojnë shpejtë”.

Këtë e ka thënë për disa gazetarë edhe zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, duke thënë se ky ka qënë rezultat i takimeve që i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog Miroslav Lajçak i ka pasur në Beograd dhe Prishtinë.

I njëti burim ka konfirmuar se liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar që të shkojnë në Bruksel për të marrë pjesë në një takim që thuhet se është “takim në mbështetje të dialogut në margjina të Këshillit Evropian”.

Lexo më shumë  Hapet banka e parë vendore në Leposaviq, merr pjesë kryeministri Kurti: Uron qytetarët për hapjen e degës së Bankës Ekonomike

Burimet e BE-së thonë se “nuk bëhet fjalë doemos për takim mes tyre, por mbetet të shihet më vonë”.

Më parë mund të ndodhë që ata të kenë takime të ndara me zyrtarë të BE-së.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm, Miroslav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd e Prishtinë, e kishin në fokus zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme, disa prej të cilave me shkrim, dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Stano. “Presim tash hapa të shpejtë nga palët, në mënyrë që të dëshmojnë se janë të përkushtuara për ta vazhduar procesin e normalizimit, duke i përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara pa vonesa dhe pa parakushte. Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave”.

Lexo më shumë  Krasniqi, pas komenteve të BE-së: Diskutimi nuk do të duhej të bëhej pse janë mbyllur strukturat paralele, por si kanë qenë të hapura deri sot

Samiti i BE-së, apo siç njihet formalisht ky takim “Këshilli Evropian”, zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel. Në atë takim dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, sikurse edhe situata e sigurisë në veri të Kosovës, do të jenë ndër temat e diskutimeve. Liderët e BE-së pritet që në konkluzat e tyre, që do të miratohen, të shprehin shqetësim të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, të kërkojnë nxjerrjen para drejtësisë të kryesve të sulmit më 24 shtator në Banjskë, por të kërkojnë edhe zbatimin pa vonesa dhe pa parakushte të obligimeve nga dialogu.

Rruga Press

YouTube player