“Ajvar kosovar”! Ligësia ruse ndaj suksesit artistik shqiptar, çfarë shkruan korespodentja e Moskës në Beograd për filmin Zgjoi
Nga Shaban Murati
Arti shqiptar arriti një sukses të madh për një kinematografi të vogël kur filmi artistik “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli u përzgjodh në listën e shkurtër të nominimeve për çmimin “Oskar” nga Akademia Amerikane e Filmit, ceremoni që zhvillohet në muajin mars.
Filmi dhe regjisorja shqiptare shkojnë në këtë konkurim prestigjioz pas tre çmimeve të fituara në shkurt 2021 për filmin më të mirë, për regjisoren më të mirë dhe çmimin e publikut në festivalin më të madh të filmit të pavarur në SHBA.
Në nëntor 2021 u shpërblye edhe me çmimin “Die Tilda” për “filmin më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Braunshvajg në Gjermani.
Por rrezatimi ndërkombëtar i suksesit të regjisores shqiptare i ka ndezur flakën e urrejtjes raciste antishqiptare korespondentes ruse në Beograd të medias proqeveritare ruse “Balkanist”, Katarina Lane.
Në një shkrim të gjatë botuar në 26 janar 2022, një ditë para nisjes së votimit për filmat në Akademinë Amerikane, gazetarja ruse, megjithëse vetë grua, lëshon pa fre ligësinë e saj kundër regjisores shqiptare qysh në titull: “Zgjoi”- Si shqiptarët e Kosovës zien ajvar për çmimin “Oscar”. Ja përroi psiqik rus i ligësisë së saj antishqiptare:
“Filmi artistik “Zgjoi” i regjisores dhe skenaristes Blerta Basholli hyri në listën e shkurtër të nominimeve për marrjen e çmimit “Oskar”. Megjithatë kjo nuk do të thotë se filmi do të marrë çmimin “Oscar”, meqë “uthulla” me të cilën Basholli ka përzier gjithçka, a do të mund të vlerësohet në SHBA.
Blerta Basholli ka realizuar filmin “Zgjoi” në të cilin heroina bën ajvar. Mendoj se ky fakt është i denjë për çmimin “Mjedra e artë” për nominim për skenarin më të keq. Pse jo? Mjedra është kulturë shumë popullore në Ballkan.
Procesi i përgatitjes së ajvarit vërtet mund të jetë idea e filmit. Aq më tepër që këngëtarja e preferuar për publikun amerikan Dua Lipa, me origjinë shqiptare kosovare, nuk lodhet së reklamuari këtë produkt, gjë që i fyen shumë serbët, të cilët e quajnë ajvarin e drejtë e tyre.
Blerta Basholli mund të xhironte një film për ajvarin, duke na treguar historinë e feminizmit kosovar përmes duarve të acaruara dhe të djegura nga specat e nxehtë të heroinave, të cilat çlirohen nga zgjedha e patriarkatit. Hani më shumë ajvar, mos harxhoni kohën me “Zgjoin”.
Me këtë thirrje e mbyll gazetarja ruse në Beograd mllefin e saj plot ironi muzhikësh, po të përdorim një shprehje ruse./dita/