Ahmeti: Asociacioni nuk është përcaktuar si parakusht
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, e akuzon Serbinë se është tërhequr nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.
Sipas tij, pas letrës së kryeministres, Ana Bërnabiq, në Bashkimin Evropian në vitin e kaluar, Serbia praktikisht dhe formalisht tërhiqet nga ujdia. Ai për KosovaPress, thekson se tani është e nevojshme të dihet nëse tërhiqet letra ku theksohet se Serbia nuk do të zbatojë disa pjesë të marrëveshjes bazë dhe më pastaj të ketë nënshkrim dhe sekuencim të qartë e të balancuar të saj.
“Serbia është tërhequr nga marrëveshja ta kemi të qartë. Ngërçi është nga letra e 13 dhjetorit që e ka dërguar kryeministrja e Serbisë në BE, ku praktikisht dhe formalisht tërheqet Serbinë nga marrëveshja e 27 shkurtit. Duhet të kemi të qartë a kemi marrëveshje? A tërhiqet ajo letër dhe të kemi përsëri marrëveshje. Duhet të kemi nënshkrim dhe sekeuncim të marrëveshjes”, thotë ai.
Ahmeti thekson se Serbia po të kishte qasje konstruktive, çështja e dinarit do të zgjidhej menjëherë, pasi do të mundësohej një formë e tranzicionit për mjetet e pagesës nga Serbia te qytetarët serbë të Kosovës.
“Unë besoj se po të ketë një qasje konstruktive nga Beogradi, kjo çështje zgjidhet menjëherë. Kur të them zgjidhet e them le të mundësohet një formë e tranzicionit, pasi rregullorja e BQK-së, është e qartë se është e panegociueshme, por po flasim për një fazë tranzitore. E rëndësishme është se dinari në Kosovë nuk mund të përdoret si mjet pagese”, shton Ahmeti.
Duke folur për sigurinë në veri, Ahmeti thekson se institucionet e vendit janë vigjilente, pasi mund të ketë rreziqe sikurse sulmi terrorist në Banjskë.
“Ku shkojnë, çfarë ndodh me 600 milionë është e paqartë. Një gjë dihet se sulmet terroriste sikur ajo në Banjskë kërkojnë mjete monetare për të organizuar, furnizuar me armatim dhe mbajt ata njerëz. Mund të ketë rrezik të tillë po të vazhdohej ajo mënyrë e sjelljes së dinarëve kesh me thasë. Po ashtu mund të përdorej Kosova sikur është përdorur deri në të kaluarën si një vend ku bëhej një shpëlarje parash”, thekson ai.
Në anën tjetër, Ahmeti është optimist se Kosova do të marrë dritën e gjelbër për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Sipas tij, në zotimet e krerëve të Kosovës nuk thuhet ekskluzivisht për themelimin e Asociacionit, por kërkohet zhvillim i prekshëm në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.
“Letrën që e kanë dërguar të tre krerët e shtetit është procedurë e rregullt përgjatë fazës së anëtarësimit, krerët e shtetit kanë marrë përsipër zotime që janë përcaktuar si çështje që duhet të adresohen pas anëtarësimit, të cilat janë përcaktuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Askund në ato pika nuk thuhet ekskluzivisht çështja e Asociacionit, kur të bëhet publik raporti do të bëhet e qartë. Pika 14.2.2 e asaj pjese thotë se duhet të ketë zhvillim të prekshëm në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, që përfshinë edhe Asociacionit. Është e qartë për të gjithë se kjo çështje ekziston që nga viti 2013 dhe se nuk ka asnjë zotim shtesë në këtë drejtim. Kjo përcakton se nuk është parakusht”, përfundon Ahmeti.
Rruga Press